Kryeministri Edi Rama nga Durrësi ka folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe propozimin e tij për uljen e numrit të deputetëve, duke paralajmëruar gjithashtu nisjen e procesit për një ligj të ri për referendumet.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se ligji për referendumet ka munguar deri tani dhe se është koha që qytetarët të kenë mundësinë të shprehin mendimin e tyre për çështje të rëndësishme.
Kryeministri shtoi se reforma do të shtrihet deri në fund të qershorit dhe do të konsolidohet pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme të Partisë Socialiste.
“Disa reforma të rëndësishme për të cilat duhet të flasim me njerëzit në këtë proces që nisin nga sot deri në fund të prillit dhe më pas deri në fund të qershorit që konsolidohet me përfundimin e të gjithë zgjedhjeve në PS. Kemi folur për riorganizimin e Kuvendit të Shqipërisë, 10 legjislatura kanë hyrë e kanë dalë. Ne do zbresim numrin e deputetëve dhe besoj për këtë ne jemi vonë por prapë kemi të gjithë kohën që t’i thërrasim shqiptarët në referendum dhe ndaj ne do çojmë përpara ligjin e munguar për referendumet sepse ka edhe tema të tjera që duhet ti vendosim përpara shqiptarëve dhe t’i lëmë të thonë se kush eshte me ke… Besoj që ligji i ri për referendumet është i realizueshëm brenda këtij sesioni”, tha kryeministri Rama./Versus.al


