AKTUALITET /

Papa Leo kremton meshën e Natës së Krishtlindjes: Zoti bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri

Para fillimit të Meshës, Papa Leo zbuloi figurën e Jezusit Fëmijë në skenën e lindjes së Krishtit, e vendosur para Altarit të Rrëfimit. Ky gjest u pasua nga një homazh me lule i fëmijëve nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Ukrainën.

Shkruar nga Versus

Papa Leo kremton meshën e Natës së Krishtlindjes: Zoti bëhet

Papa Leo XIV kryesoi për herë të parë Meshën e Natës së Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke përcjellë një mesazh të fortë për dinjitetin njerëzor, lirinë dhe dashurinë e Zotit në një botë të shënuar nga padrejtësitë dhe shtypja.

“Ndërsa një ekonomi e shtrembëruar na bën t’i trajtojmë njerëzit si mallra, Zoti bëhet si ne, duke zbuluar dinjitetin e pafund të çdo personi. Ndërsa njeriu dëshiron të bëhet Zot për të dominuar të afërmin e tij, Zoti dëshiron të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo skllavëri,” tha Papa Leo në homelinë e tij, duke pyetur nëse kjo dashuri është e mjaftueshme për të ndryshuar historinë e njerëzimit.

Ati i Shenjtë ftoi besimtarët të “admirojnë urtësinë e Krishtlindjes”, duke theksuar se përballë dhunës dhe shtypjes, Zoti, në Jezusin Fëmijë, i jep botës një jetë të re: jetën e Tij, për të gjithë.

Liturgjia solemne u bashkëkremtua nga rreth 250 kardinalë, peshkopë dhe priftërinj në Altarin qendror të Rrëfimit, ndërsa Kori i Kapelës Sistine shoqëroi hyrjen e Papës me këngën tradicionale “Noel”.

Para fillimit të Meshës, Papa Leo zbuloi figurën e Jezusit Fëmijë në skenën e lindjes së Krishtit, e vendosur para Altarit të Rrëfimit. Ky gjest u pasua nga një homazh me lule i fëmijëve nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe Ukrainën.

Sipas Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, rreth 6,000 besimtarë morën pjesë në Meshë brenda Bazilikës, ndërsa afërsisht 5,000 të tjerë e ndoqën ceremoninë jashtë, në sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht shiut.

Pak para Meshës, Papa doli papritur në shesh për të përshëndetur besimtarët, duke u shprehur: “Faleminderit që erdhët edhe në shi! Urimet më të mira të gjithëve!”

“Duam ta festojmë Krishtlindjen së bashku. Jezu Krishti, i cili lindi për ne, na sjell paqen dhe dashurinë e Zotit. Zoti ju mbroftë dhe ju bekoftë të gjitha familjet tuaja,” shtoi ai.

Poll