Ditë më parë një foto ku një arushë shfaqej me tre të vegjlit e saj në dëborë në fshatin Kolosjan të Kukësit, u bë virale në mediat kryesore të vendit e madje edhe në postimet e politikanëve.
Por është zbuluar se fotoja është gjeneruar përmes Inteligjencës Artificiale. Përveç detajit që në foto nuk duken gjurmë dëbore të mëparshme të arushës dhe të vegjëlve të saj, një prej banorëve të Kukësit ka shkuar në vendin ku pretendohej se ishte shkrepur kjo foto.
Ben Trota tregon se në vendin konkret, nuk ka dëborë ashtu siç asnjë fshat i Kukësit në këtë periudhë ende nuk është mbuluar nga dëbora. Ai shprehet se as arusha nuk mund të jetë në lëvizje në këtë kohë, pasi janë në gjumin letargjik.
“Kemi ardhur tek vendi i fotografisë me arusha. Po të shuar kureshtjen e të gjithë mediave injorante dhe ata kuksiane, se në Kukës e dinë që nuk ka rënë dëborë në asnjë katund të Kukësit, edhe pse jemi mbi Kolosjan. Këtu është saktësisht vendi, që supozohet që është shkrepur fotografia me arusha. E para, lexova sot një shkrim të Naim Palushit, që kishte thënë: për të gjithë ata që e kanë mendjen në mësim në orën e biologjisë, në fund të nëntorit arusha bie në gjumin letargjik. E dyta, këtu nuk ka borë dhe siç e shihni bora është në majë të Gjalicës”- shprehet ai.
Ndërsa më tej ironizoi duke u shprehur: “Një fjalë popullore thotë, dhe padashur me e ofenduar autorin e fotografisë, një budalla gjuan një gurë në lumë dhe 100 të mençur shkojnë e mbytën në të. Këtu nuk ka as borë dhe as arushë”.
Me futjen në lojë të Inteligjencës Artificiale, ky rast konkret tregon sesa e vështirë është të dallohen momentet reale të kapura në kamera me ato të krijuara nga IA. Versus.al

