
Besimtarët e Krishterë në Shqipëri dhe në mbarë botën festojnë lindjen e Krishtit, një prej festave më të rëndësishme në kalendarin e tyre fetar. Në Tiranë, në katedralen “Shën Pali” qindra besimtarë katolikë morën pjesë në meshën e mbajtur nga imzot Arjan Dodaj. Ky i fundit duke iu bashkuar lutjeve të besimtarëve tha se të gjithë njerëzit duhet të ecin me shpresë përballë zhgënjimeve.
"Netët e mbara të historisë së njerëzimit nuk janë një dritë e fortë që imponon vetë, por një dritë e butë që ndriçon rrugën e çdo njeriu. Ajo përshkon shekujt dhe arrin tek ne, këtu, sonte. Ecim me gëzim dhe shpresë përballë çdo zhgënjimi njerëzor, sikurse kemi shtegtuar në këtë vit jubilear të shpresës, sepse për ne ka lindur Shpëtimtari. Jezusi mbetet për ne gjithmonë Zoti ynë, por edhe vëllai ynë. Leximet e kësaj nate, që sapo kemi dëgjuar, na ndihmojnë të kuptojmë se Krishtlindja nuk është thjesht premtimi i një përkujtimi të një ngjarjeje të kaluar. Sot shumë njerëz përjetojnë errësirën, siç dëgjojmë dhe shohim në luftë", tha Imzot Arjan Dodaj gjatë predikimit.
Ndërkohë besimtarët ortodoksë kremtuan meshën paraditen e sotme në katedralen "Ngjallja e Krishti", ku kryepeshkopi Joan mbajti meshën e Liturgjisë Hyjnore.
“Tani, më shumë se kurrë, bota ka nevojë për dritën e Krishtit. Është e nevojshme, sepse një jetë pa praninë e Zotit bëhet e mjerueshme, kthehet në një jetë pa dashuri, pa gëzim, pa dritë: një jetë në errësirë. Vetëm prania e Tij mund të ndriçojë zemrat dhe shpirtrat tanë dhe mund t’i japë jetës sonë dritë e gëzim”, tha kryepeshkopi Joan. Versus.al

