AKTUALITET /

Parandalohet atentati ndaj Preng Gjinit, arrestohet një i dyshuar me tritol, një tjetër në kërkim

Shkruar nga Versus

Parandalohet atentati ndaj Preng Gjinit, arrestohet një i dyshuar me

Policia e Shkodrës ka parandaluar një atentat të dyshuar ndaj Preng Gjinit, i cili kishte qenë më parë objekt i një sulmi me eksploziv në vitin 2020 në zonën e Selitës, në Tiranë.

Sipas të dhënave hetimore, në flagrancë është arrestuar 38-vjeçari Euglen Buraku, banues në Durrës, i cili u kap në fshatin Stajkë të Vaut të Dejës duke lëvizur me një automjet me targa të mbivendosura. Gjatë kontrollit, policia gjeti një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular, e dyshuar se ishte përgatitur për shpërthim në distancë.

Nga ekspertimi i telefonit celular të Burakut, hetuesit zbuluan edhe një fotografi të Preng Gjinit, çka ka ngritur dyshimet se ai ishte objektivi i atentatit të planifikuar.

Në vijim të hetimeve është identifikuar edhe një person i dytë i dyshuar, Eduard Përgjoka, 34 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Rubik, policia sekuestroi kapsolla detonatore, 11 telefona celularë dhe fara kanabisi.

Dy të dyshuarit hetohen për veprat penale "vrasje me paramendim" e mbetur në tentativë, "armëmbajtje pa leje" dhe "prodhim dhe shitje të narkotikëve".

Preng Gjini ishte gjithashtu objekt i atentatit me eksploziv të ndodhur në shtator të vitit 2020 në Tiranë.

Sipas hetimeve të SPAK në kuadër të dosjes "Revanshi", ai sulm u organizua për motive gjakmarrjeje, ndërsa për ngjarjen janë marrë të pandehur gjashtë persona, të akuzuar si organizatorë dhe mbështetës të atentatit.

Poll