
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita ishin sot në Durrës nga ku folën për masat e marra për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Hita tha se monitorimi i vijës bregdetare do të bëhet edhe me dronë.
Ndërsa tha se mjetet detare të shtetasve të huaj do të verifikohen në kohë rekord. Në njësinë detare janë në dispozicion rreth 35 motorë uji.
“Ne po aplikojmë me sukses praninë e efektivëve me biçikleta në pedonale dhe vijën bregdetare. Kjo rrit efikasitetin dhe komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët. Vëmendje e veçantë i kushtohet sigurisë detare dhe Njësia Policore Detare është në gatishmëri të plotë 24/7. Patrullimet shtrihen përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Këtë sezon, njësia policore detare do të mbështetet edhe nga ajri, përmes dronëve. Nuk do të tolerohet asnjë shkelje me mjetet lundruese që rrezikojnë jetën e pushuesve. Shërbimet tona do të kryejnë verifikimet dhe regjistrimet e mjeteve lundruese të huaja duke verifikuar në TIMS”, tha Hita. Versus.al

