27-vjeçari Kelmend Beqaj është arrestuar nga Policia pasi ishte shpallur në kërkim për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2025, ku Beqaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri 42-vjeçarin Gledian Hoxhallari.
Hetimet tregojnë se konflikti ka nisur për motive personale, pasi Beqaj kishte krijuar një lidhje intime me bashkëshorten e Hoxhallarit, Melisa Hoxhallari. Ngjarja ka ndodhur kur viktima po priste të takonte bashkëshorten e tij dhe më pas është qëlluar me armë.
Pas incidentit, autoritetet bënë me dije se Melisa Hoxhallari u largua nga vendi i ngjarjes bashkë me autorin e dyshuar, ndërsa më vonë është vetëdorëzuar në polici.
Beqaj është ndaluar në pikën kufitare të Kakavijës nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa Gjykata kishte caktuar më herët ndaj tij masën “arrest me burg”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
DVP Fier-Vihet në pranga një 27-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier bënë të mundur ndalimin e shtetasit K. B., 27 vjeç, banues në Fier, i shpallur më parë në kërkim.
Nga hetimet rezulton se ky shtetas, më datë 05.01.2025, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin G. H., 42 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Për këtë rast, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Shtetasi K. B., u ndalua në Kakavijë nga shërbimet e Policisë Kufitare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./Versus.al

