
Petrit Qoli, njëri prej të pandehurve në dosjen “Plumbi i Artë’ ku akuzohet për vrasjen e Ervis Dedjas dhe nënës së tij Fatmira Dedja, ka shpërthyer me tone të ashpra në seancën e mbajtur sot në GJKKO.
Përsa i takon debatit për caktimin e kalenderit të seancave, Petrit Qoli ka shpërthyer ndaj prokurorit të dosjes Behar Dibra duke i thënë këtij të fundit se po e shkatërronte duke e mbajtur në burg për një çështje ku pretendon se nuk ka patur gisht. Madje iu shpreh edhe me ironi që të mos e ushqenin me karkaleca të penduarin e drejtësisë Nuredin Dumani i cili së fundmi përfundoi në spital për shkak të një helmimi.
“Po kryeni genocid individual nga padrejtësia e drejtësisë. Unë kam vetëm një siklet, infarktin. Po na shkatërroni. Jam duke vdekur nga turpi moj motër e nderuar, nuk mundet se na plasët. O prokuror po ma vrisni për së gjalli. Kam familje jashtë, kam biznese, po më shkatërroni. Kam dy vite në burg për shkak të Dumanit. Më falni për tonin, por po na vdisni. O prokuror mos i jep karkaleca këtij (Nuredin Dumanit) se ky maksimumi makarona han”- u shpreh Qoli mes të tjerash.
Seanca për dosjen “Plumbi i Artë” u shty për në datën 18 shtator, ora 10:00 për shkak të kundërshtimit të deklarimeve të bashkëpunëtorëve të drejtësisë nga ana e avokatëve të të pandehurve të tjerë. Versus.al







