AKTUALITET /

Zbulohet "Profesori" i skemës piramidale XUEX, reklamat ishin mes qytetit

Dhjetëra qytetarë kanë raportuar se janë mashtruar nga kjo skemë me premtime të rreme për pasurim të shpejtë.

Shkruar nga Versus

Zbulohet "Profesori" i skemës piramidale XUEX, reklamat ishin mes

Një skemë mashtruese piramidale e lidhur me platformën XUEX ka shpërthyer kohët e fundit në disa zona të Shqipërisë, duke përfshirë Divjakën, Lushnjën dhe rrethinat. Sipas dosjes hetimore, platforma funksiononte përmes një rrjeti rekomandimesh, ku përdoruesit aktualë rekrutonin të rinj me premtime për fitime të përjetshme.

Një nga pikat e promovimit të kësaj platforme rezulton të ketë qenë bar-restoranti “La Bonta” në Lushnjë, në rrugën “Shëtitorja e Palmave”. Në hyrje të lokalit ishin vendosur postera me mbishkrimet: “EG Group Investment XUEX – Investim një herë = Përfitime të përjetshme”
dhe “Projekt investimi afatgjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime”.

Hetimet zbuluan se dy punonjës të lokalit, Emanuel Taullau dhe Flavio Mukaj, kishin rol aktiv në promovimin e XUEX. Ata ofronin informacion për investimin fillestar (minimumi 1000 dollarë) dhe udhëzonin qytetarët të bashkoheshin në grupe Telegram, ku propagandoheshin “mundësitë e investimit”.

Në një operacion të mbikëqyrur nga policia, agjentë të infiltruar zhvilluan kontakte të drejtpërdrejta me Taullau dhe Mukaj, të cilët konfirmuan përfshirjen e tyre në platformë dhe ofruan ndihmë për regjistrim.

Më 27 gusht 2025, gjatë veprimeve simuluese, agjentët kryen një pagesë prej 1000 dollarësh në XUEX, duke ndjekur udhëzimet e dy të dyshuarve dhe duke u futur në grupet përkatëse në rrjetet sociale.

Sipas dëshmive të mbledhura, në prapaskenë të aktivitetit dyshohet të jetë edhe pronari i lokalit, i identifikuar me pseudonimin “Profesori”.

Autoritetet po vijojnë hetimet, ndërsa dhjetëra qytetarë kanë raportuar se janë mashtruar nga kjo skemë me premtime të rreme për pasurim të shpejtë.

Poll