
Kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj në mesazhin e dhënë për Pashkën, bëri thirrje që qytetarët të mbështeten më shumë tek besimi në Zot dhe të investojnë gjërat me vlerë për të ardhmen e kombit dhe jo për fasada.
“Nga ringjallja e Krishtit, ati i mëshirshëm, na jep mundësinë e pajtimit dhe të kthimit. Tingëllon akoma më e fortë ftesa për t’u kthyer nga Zoti. Zemra e njeriut është bërë për gjëra të bukura dhe fisnike. Mesazhi dhe angazhimi i parë jo vetëm i fesë, por dhe i çdo institucionin shqiptar duhet të jetë pro institucionit më të hershëm dhe të domosdoshëm, që është institucioni hyjnor, i jetës dhe i familjes.”
Sa i takon familjes, Dodaj inkurajoi çiftet e reja që të zgjedhin të jetojnë e punojnë në Shqipëri në mënyrë që të mos thellohet “dimri demografik” që ka kapluar vendin tonë me emigrimin masiv.
“Kemi nevojë që të investohet më shumë tek bukuritë, që gjenerojnë të ardhmen sikur është familja. Veçanërisht tek çiftet e reja, sepse pa çiftet e reja që zgjedhin të jetojnë dhe të punojnë në Shqipëri, do të thellohet në mënyrë dramatike dhe të pakthyeshme ‘dimri demografik’ që ka shënjuar vendin tonë. Të mësojmë nga gabimet e shumë vendeve perëndimore dhe të mos i pranojmë ato sipërfaqësi dhe po ashtu të shohim vende që po reagojnë ndaj këtij dimri.”- u shpreh Imzot Arjan Dodaj. Versus.al








