Gjykata e Posaçme do të vendosë nesër lidhur me ankimimin e bërë nga deputetja Monika Kryemadhi ndaj sekuestrimit të 2 vilave në pronësi të saj dhe të ëmës. Në dalje për mediat, Kryemadhi u shpreh se do ta ndjekë çështjen me të gjitha mjetet ligjore, deri në Gjykatën e Strasburgut nëse do jetë nevoja.
“Unë shtrova një pyetje ndaj prokurores dhe gjyqtares, po ju që keni marrë kredi për shtëpi, i keni dhënë me qira? Është e ligjshme apo e paligjshme?Prokuroria ka qëndruar vetëm në kuadrin e thashethemeve gazetareske. Mendojnë të marrin një ekspert financiar në të ardhmen. Të them të drejtën pretendimi është se duke qenë se Ilir Meta dyshohet për CEZ DiA dhe mamaja jote e ka blerë shtëpinë në mars të 2010-ës. Bëhet fjalë për 305 mijë euro dhe ato mbledhin të gjitha transakionet e mundshme. Unë do ndjek të gjitha procedurat ligjore, madje deri në Strasburg me aq kapacitete ligjore që kemi’- tha Kryemadhi.
E pyetur përse mbante bastun me vete, Kryemadhi tha se kishte dëmtuar meniskun e gjurit.
“Ju e dini që kam bërë palestër shumë dhe kam vrarë pak gjurin, meniskun. Por edhe më pëlqen shumë ky bastuni, është shumë trendi”- shtoi ajo.
Ndërsa sa i takon pyetjes së bërë nga gazetarët se ku do jetojë tashmë që i janë sekuestruar dy vilat, Kryemadhi u përgjigj me ironi.
“Punë e madhe, me çadër more. Do marrim ndonjë kontejner, ndonjëri do na japë ndonjë tokë me qira”- shtoi deputetja.
Sa i takon ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta, Kryemadhi tha se nuk pranon të flasë për persona që nuk janë në jetën e saj. Versus.al







