
Reshjet intensive të shiut që përfshinë pasditen e së hënës juglindjen e vendit kanë shkaktuar probleme serioze në disa akse rrugore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar trafik të rënduar në disa zona.
Në aksin Moglicë–Gramsh, masa të mëdha dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit, duke bllokuar pjesërisht rrugën. Si pasojë, lëvizja e mjeteve po kryhet vetëm në njërin krah të aksit, ndërsa ndërhyrja për pastrimin e plotë të rrugës po vështirësohet nga prurjet e vazhdueshme të materialeve inerte. Grupet e punës dhe autoritetet ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën.
Problematika është shfaqur edhe në aksin Qukës–Librazhd, si dhe në segmentin Prrenjas–Xhyrë, ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e Korridorit VIII. Në këtë zonë, qarkullimi ka qenë pothuajse i paralizuar për më shumë se 40 minuta, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh.
Burime zyrtare bëjnë me dije se ngadalësimi dhe bllokimi i qarkullimit janë shkaktuar nga rrëshqitjet e dheut dhe balta e krijuar pranë zonës së Dragostunjës. Kjo nuk është hera e parë që kjo zonë përballet me situata të tilla, pasi edhe në muajin shkurt një rrëshqitje masive dheu bllokoi qarkullimin për rreth tetë orë.
Aktualisht, një fadromë po punon në terren për pastrimin e baltës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullim. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të respektojnë udhëzimet e policisë rrugore.Versus.al

