
I riu në foto, është 27-vjeçari, Ardian Baloshi i cili humbi jetën këtë të hënë në Paskuqan pasi u qëllua me breshëri zjarri nga 39-vjeçari Sadik Llani, ndaj të cilit vijojnë kërkimet nga policia për kapjen dhe vënien para drejtësisë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25 në rrugën “Dervish Luzha”.
Policia ka njoftuar se po punon me RENEA-n për kapjen e autorit.
Ai ka arritur të arratiset me mjetin e tij menjëherë pas ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur në rrugë në afërsi të një kalçetoje ndërsa rrethanat e konfliktit janë ende të paqarta. Viktima është dërguar në spitalin e Traumës nga persona të rastit, ndërsa ka ndërruar jetë ende pa mbërritur.
Për shkak të rrezikshmërisë që autori paraqet pasi është i armatosur, në operacionin për kapjen e tij marrin pjesë dhe forcat RENEA.
Njoftimi i policisë
Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë. Versus.al

