AKTUALITET /

Rreziku i diskursit “të gjithë janë njësoj” dhe sulmet e pamerituara ndaj ministrave të rinj

A mos vallë nxitimi për të vënë në shënjestër profesionistët e rinj të vënë fatmirësisht dhe në krye të punëve vjen si paralajmërim për të mos prekur interesa të caktuara, apo si kërkesë për influenca të reja?

Shkruar nga Versus
Rreziku i diskursit “të gjithë janë njësoj” dhe
Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes

Në Shqipëri duket se tashmë është bërë zakon që për çdo person që emërohet në një post të lartë publik, të ketë aludime, akuza e përbaltje pa asnjë fakt. Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama shpalli ndryshime në qeveri duke emëruar në 2 ministri personazhe jo fort të njohur në sferën publike, por me tepër arritje në fushën profesionale të ndjekur prej vitesh. një prej tyre ishte edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, jurist i mirënjohur.

Pavarësisht se me një formim të fortë juridik e karrierë të spikatur në poste të larta të administratës publike, Nufi nuk u shpëtoi “etiketimeve” jo vetëm të simpatizantëve, por edhe të mediave. Skandalet në nivele të ndryshme qeverisëse dhe zyrtarët e lartë të hetuar nga SPAK e kanë orientuar diskursin publik drejt idesë se kushdo që vjen në qeveri, është i përfshirë në një aferë të caktuar pa marrë parasysh formimin e personit të emëruar apo integritetin e figurës së tij.

Një rast konkret është edhe një media si JOQ e cila pavarësisht se njihet në gjithë trojet shqiptare për denoncimet ndaj aferave korruptive dhe pasqyrimin e problematikave të qytetarëve, sërish nuk i ka shpëtuar “kurthit” të diskursit të krijuar duke mos ngurruar të etiketojë apo akuzojë Nufin në një kohë kur ka vetëm 4 ditë që ka marrë detyrën si ministër i Mbrojtjes. Shkrime të tilla që përbaltin figurën e një ministri të sapoemëruar dhe që nuk ka përgjegjësinë të mbajë mbi supe mëkatet e askujt, nuk i shërbejnë qëllimit kryesor gazetaresk, madje përkundrazi rrezikojnë të krijojnë tek publiku idenë se “të gjithë janë njësoj” dhe se integriteti personal e profesional nuk ka asnjë vlerë në Shqipëri. A mos vallë nxitimi për të vënë në shënjestër profesionistët e rinj të vënë fatmirësisht dhe në krye të punëve vjen si paralajmërim për të mos prekur interesa të caktuara, apo si kërkesë për influenca të reja? Ndoshta është targetuar gabim shënjestra…ndoshta! Versus.al

Poll