Pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të paligjshëm mbylljen e rrjetit social “TikTok” para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, familja e 14 vjeçarit të vrarë në shkollë, Martin Cani ka reaguar duke mirëpritur vendimin.
Sipas familjes të të miturit të ndjerë, qeveria kërkonte të fshihte papërgjegjshmërinë e institucioneve pas rrjetit social “TikTok” duke pretenduar se problemi qëndronte aty dhe jo tek dështimi i institucioneve arsimore.
“Familja e Martin Canit mirëpret vendimin e Gjykatës Kushtetuese që shpalli sot antikushtetues mbylljen e rrjetit social TikTok, duke konfirmuar zyrtarisht atë që ne kemi bërtitur me dhimbje që nga dita e parë: Martini nuk u vra nga TikTok!
Ky vendim demaskon hipokrizinë e një qeverie që, në vend që të mbante përgjegjësi për dështimet e saj, zgjodhi të përdorte gjakun e djalit tonë si pretekst për censurë dhe manovra politike. Ndërsa shteti merrej me mbylljen e aplikacioneve, dështimi i tij sistematik vazhdoi të prodhonte viktima: fillimisht një i mitur në Maliq dhe së fundmi një tjetër jetë e këputur në Durrës.
Të vërtetat ulëritëse që po vrasin fëmijët tanë janë:
Sistemi Arsimor i Falimentuar: Martini u vra nga një thikë e një bashkëmoshatari në një mjedis ku siguria në shkolla nuk ekziston dhe institucionet nuk marrin asnjë masë parandaluese.
Papërgjegjshmëria e Shkollës: Djali ynë u vra sepse shkolla nuk njoftoi prindërit për incidentet e mëparshme, duke na hequr mundësinë për të parandaluar tragjedinë.
Krimet e Sistemit Shëndetësor: Martini u vra nga protokolle absurde që e dërguan në spitalin më të largët kur QSUT ishte vetëm 3 minuta larg. Ai u vra sepse në Spitalin e Traumës mungonin kardiokirurgët dhe pajisjet bazë si zemër-mushkëri për të riparuar zemrën e tij.
Propaganda në vend të Sigurisë: Qeveria u mjaftua me “reforma kozmetike” për opinionin publik, ndërkohë që siguria në shkolla mbetet në zero dhe bashkëpunimi me familjet është inekzistent.
Mjaft me manipulime! Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe as nuk shpëton jetë. Martini, Eraldi ne Maliq dhe Erjoni në Durrës nuk u vranë nga rrjetet sociale; ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjshmëria institucionale dhe nga dështimi total i shtetit që duhet t’i mbronte.
Ne nuk do të heshtim!
Kërkojmë DREJTËSI PËR MARTININ dhe për çdo fëmijë tjetër që ra viktimë e këtij sistemi të kalbur. Nuk do të lejojmë që emri i djalit tonë, një futbollist me ëndrra dhe një shpirt i pastër, të përdoret më si mburojë për dështimet tuaja.
Zëri ynë bashkohet me çdo familje që sot derdh lot. Kërkojmë veprime, jo fjalë! Kërkojmë siguri, jo censurë!”-thuhet në reagimin e familjes Cani. Versus.al


