
Tiranë- Njëri prej autorëve të dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, Dorian Alia i cili u vetëdorëzua në polici ka treguar detaje rreth ngjarjes së rëndë.
Ai ka thënë se krimin e kishte kryer për lidhje miqësie me Dritan Nanon dhe se nuk kanë pasur qëllim dëmtimin e rëndë të avokatit por kishin shkuar vetëm për t’i dhënë një mesazh.
"Shkuam për t’i dhënë një mesazh. Nuk menduam se situata do përkeqësohej. Nuk e dinim peshën e avokatit, e bëra për miqësi dhe nuk jam paguar”- mësohet të jetë shprehur Dorian Alia.
Ndërkohë, Dritan Nano i cili dyshohet se organizoi sulmin për shkak se Mëngjesi kishte fituar procesin ndaj tij për shkak të mospagesës për shërbimet e dhëna, ka mohuar të ketë gisht me ngjarjen pavarësisht se dje drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj deklaroi se Dritan Nano u takua me dhunuesit 1 muaj para ngjarjes dhe ka organizuar gjithçka.
Policia ka ofruar shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që jep informacion mbi vendndodhjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim Drivald Alian dhe Elton Kasaj që morën pjesë në dhunimin e avokatit dhe Romario Tabaku që i largoi me makinë. Versus.al







