Altin Dumani, kryetari i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ka zhvilluar së fundmi një bashkëbisedim me gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjatë bashkëbisedimit ai u pyet edhe lidhur me faktin se javën e kaluar gjatë takimit në Bruksel me zyrtarët e lartë të BE, Amerikës Latine dhe Ballkanit Perëndimor, në tavolinën e tij shfaqej emri i tij dhe jo i shtetit njëjtë si tek kolegët e tjerë.
Dumani zbuloi për gazetarët se e kishte marrë vesh arsyen pasi e kishte lexuar tabelën me emrin e tij. Ai tha se stafi i kishte komunikuar se për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës, ishte vendosur që përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor të kishin emrat e drejtuesve të prokurorive, ndryshe nga pjesëmarrësit e tjerë.
“Pasi ma komunikuan këtë pashë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kishin emrat e përfaqësuesve. Gjithsesi ishte kënaqësi që për herë të parë dy përfaqësues shqipfolës të drejtësisë përfaqësonin vendet e tyre aty”- mësohet të jetë shprehur Dumani. Versus.al
