
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë sot në një seancë të hapur 4 paditë e bëra për ligjin e taksimit të profesioneve të lira. Lidhur me ligjin në fjalë, ka pasur reagime të ashpra nga përfaqësues të këtyre profesioneve të cilët theksojnë se kjo taksë po i çon ata drejt falimentimit.
Ditë më parë, ata protestuan para Gjykatës Kushtetuese për ligjin që do të nisë zbatimin që nga 1 janari. Për këtë ligj ka pasur reagime edhe nga opozita. Konkretisht një prej atyre që ka dorëzuar padi është deputetja e PD-së, Jorida Tabaku e cila ka theksuar se kjo është tashmë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal. Sipas saj, tatimit që pritet të hyjë në fuqi ndaj profesioneve të lira në vendin tonë, është shumë më i lartë krahasuar me atë në vendet e tjera të rajonit.
Nga 1 janari profesionistët e lirë do të tatohen 15% mbi të ardhurat e tyre. Me ligjin e miratuar nga qeveria i cili ka ardhur në zbatim nga data 1 janar të këtij viti, profesionistët e lirë, dikur të përjashtuar nga detyrimet tatimore do të duhet të derdhin detyrimet fiskale. Në seancën me dyer të hapura në gjykatën Kushtetuese, shqyrtohen së bashku 4 paditë e bëra ndaj këtij ligji nga grupi parlamentar i PD, Kontabilistët, Avokatët dhe Ekspertët e Miratuar. Versus.al







