
Një udhëzim i Ministrisë së Shëndetësisë që parashikon mundësinë e nisjes së terapisë hormonale për persona transgjinorë në sistemin publik shëndetësor ka ndezur debat të gjerë në Shqipëri, duke sjellë reagime të forta nga komunitete fetare dhe grupe të ndryshme shoqërore.
Sipas udhëzimit, trajtimi mund të konsiderohet nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta edhe nga mosha 14 vjeç, nën vlerësim mjekësor dhe protokolle të posaçme shëndetësore. Autoritetet shëndetësore e kanë prezantuar këtë hap si pjesë të standardizimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të aksesit në kujdes për personat transgjinorë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në një reagim publik shprehet se të miturit nuk duhet të ekspozohen ndaj ndërhyrjeve me pasoja afatgjata në një moshë kur identiteti dhe zhvillimi psikologjik janë ende në formim. KMSH i ka bërë thirrje institucioneve që çështja të trajtohet me kujdes dhe dialog të gjerë shoqëror.
"Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret.
Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare", thuhet në reagimin e KMSH.
Nga ana tjetër, edhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë ka shprehur shqetësime për udhëzimin, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e të miturve dhe konsultim më të gjerë me prindërit, profesionistët e shëndetit dhe shoqërinë civile. Përfaqësues të saj kanë kërkuar që vendime të tilla të mos merren pa debat publik të zgjeruar dhe konsensus shoqëror. Versus.al

