Vlorë- Situata paraqitet tejet problematike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që kanë rënë gjatë gjithë natës. Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, rruga ka rrëshqitur si dhe janë dëmtuar dy banesa. Fatmirësisht banorët nuk kanë pësuar dëmtime, por rruga është bërë e pakalueshme për automjetet.
Policia ndodhet në terren për të monitoruar qarkullimin e automjeteve pasi kjo rrugë lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.
Reshjet e shiut kanë shkaktuar edhe rritjen e nivelit të ujit në lumin e Vjosës deri në 7 metra duke bërë që të dalë nga shtrati dhe të përmbytë pazarin e gjësë së gjallë.
Banorët e zonave të rrezikuara janë njoftuar dhe si masë parandaluese janë evakuuar 12 banesa. Sipas autoriteteve, prurjet në lumin Vjosë vijojnë të mbeten të larta dhe situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme. Versus.al

