
Tiranë- Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është paraqitur mesditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) i shoqëruar nga avokati i tij, Maks Haxhia.
Mësohet se Tahiri është thirrur nga prokurori i SPAK, Elvin Goga për t'u pyetur lidhur me një hetim pasuror të nisur vitin e kaluar pasi doli nga burgu. Ish-ministri mësohet se është marrë në pyetje si person në dijeni, por emri i tij ende nuk është futur në listë e personave nën hetim për pasurinë e tij.
Sipas burimeve më herët në kuadër të ketij hetimi SPAK, ka pyetur edhe disa biznesmenë me të cilet familjarët e ish ministrit Tahiri kanë patur transaksione financiare. Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, teksa i njëjti prokuror ka hetuar edhe çështjen e ashtuquajtur “Buka” për të cilën u vendos vitin e kaluar pezullimi i hetimeve për një vit. Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij. Prokuroria ka kërkuar informacion në bankat e nivelit të dytë, institucione e agjenci të pronave për të verifikuar pronat e llogaritë bankare të ish-ministrit të Brendshëm, dhe transaksionet që ai ka kryer që prej kohës kur ai mbante detyrën dhe deri më sot.
Në shkurt të vitit 2022, ish-ministri i Brendshëm u dënua me vendim të formës së prerë me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre. Dënimin prej 16 muajsh, Tahiri e vuajti në burgun “Kosovë” të Lushnjës.
Ish-ministri i brendshëm, u vu nën hetim në vitin 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me një grup kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, me të cilët Tahiri ka lidhje farefisnore. Ata janë të akuzuar për trafik lëndësh narkotike dhe ky grup është duke u hetuar edhe në Itali.
Asokohe, në aktakuzë, Prokuroria përmendte katër episode të trafikimit të drogës drejt Italisë, ku sipas hetuesve ishte përfshirë edhe ish-ministri. Për këtë akuzë u kërkua dënimi me 12 vjet burg. Për shkak të mungesës së provave, Gjykata e dënoi vetëm për “shpërdorim detyre”.
Tahiri u lirua me kusht në 2 qeshor të vitit të kaluar pas dy ekspertizave mjeko-ligjore që arsyetonin se nuk mund të qëndronte në qeli për pjesën e mbetur të dënimit sepse kishte probleme shëndetësore. Versus.al







