
Policia e Tirana ka finalizuar operacionin e koduar “Penaliteti”, duke vënë në pranga një 26-vjeçar të dyshuar për disa vjedhje dhe tentativa për vjedhje gjatë muajit prill 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndërmorën veprime intensive hetimore pas kallëzimeve të disa qytetarëve dhe administratorëve të bizneseve për vjedhje të pronës dhe pasurisë. Si rezultat, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i Agustjan Hykës, 26 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se i riu ka vjedhur shuma parash dhe produkte në katër subjekte të ndryshme, si dhe ka tentuar të kryejë vjedhje në një banesë dhe në një tjetër subjekt.
Gjatë verifikimeve rezultoi se 26-vjeçari ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”, të cilën e kishte thyer për të kryer këto vepra.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme ku mund të jetë i përfshirë i arrestuari, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Finalizohet operacioni i koduar “Penaliteti”, për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë.
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe, gjatë muajit mars, kreu 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, vihet në pranga 26-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa shtetasve/administratorëve të subjekteve për vjedhje të pronës dhe pasurisë, shërbimet e
Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Penaliteti”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i disa rasteve në këtë fushë, shtetasi A. H., 26 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 26-vjeçari, gjatë muajit prill 2026, ka vjedhur shuma parash dhe produkte në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe në një subjekt.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.
Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi A. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

