AKTUALITET /

Vota e diasporës në Greqi, KQZ: Ja ku e shkeli Posta Shqiptare kontratën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas kërkesës së shoqatës “Diaspora e Lirë” dhe pas akuzave të opozitës lidhur me procesin e votimit nga jashtë vendit, konkretisht nga Greqia, ku ndodhet përqindja më e lartë e emigrantëve shqiptarë.

Shkruar nga Versus
Vota e diasporës në Greqi, KQZ: Ja ku e shkeli Posta Shqiptare
Foto ilustruese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas kërkesës së shoqatës “Diaspora e Lirë” dhe pas akuzave të opozitës lidhur me procesin e votimit nga jashtë vendit, konkretisht nga Greqia, ku ndodhet përqindja më e lartë e emigrantëve shqiptarë.

Në përgjigjen zyrtare, KQZ sqaron se ka marrë prova nga kompania postare DHL, e cila garanton se çdo zarf është tërhequr me firmë nga vetë votuesit. Aktualisht, KQZ është në proces verifikimi të nënshkrimeve të votuesve, për të garantuar ligjshmërinë dhe transparencën e procesit.

Megjithatë, institucionit i është dashur të nënvizojë një shkelje të kontratës nga ana e Postës Shqiptare, e cila – sipas KQZ-së – nuk kishte marrë miratimin për të kontraktuar një proces të tretë në territorin grek. Kjo përbën një devijim nga marrëveshja zyrtare për shpërndarjen dhe grumbullimin e votave të diasporës.

Ndërkohë, për të përballur akuzat e Partisë Demokratike për manipulim të mundshëm dhe përfshirje të strukturave të PS-së në korruptimin e sistemit postar, KQZ njoftoi se ka vënë në dispozicion të PD-së të gjitha provat, përfshirë firmat e votuesve shqiptarë që kanë tërhequr zarfet në Greqi.

Kushti i vetëm për marrjen e këtyre provave ka qenë nënshkrimi i një deklarate konfidencialiteti, për shkak se dosjet përmbajnë të dhëna personale të rreth 50 mijë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Procesi vijon të jetë në qendër të polemikave politike, ndërsa KQZ pritet të dalë me një raport përfundimtar mbi integritetin e votës së diasporës dhe përgjegjësitë institucionale të përfshira në këtë çështje. Versus.al

Poll