Një ngjarje makabër ka tronditur Belgjikën këtë mërkurë, kur u bë publik lajmi se një grup të rinjsh, kryesisht minorenë, kanë përdhosur një kufomë të një 16 vjeçari. Arsyejae gjymtimit të kufomës: për t’i marrë unazat e vendosura në gishtat e adoleshentit të pajetë.
Siç njoftojnë mediat belge, policia u alarmua javën e kaluar për një rast përdhosje të një kufome në qendrën funerale Lambrecht në Blankenberge. Një grup të rinjsh, shumica të mitur, dyshohet se kanë gjymtuar trupin e pajetë të një adoleshenti 16-vjeçar, duke arritur deri aty sa i kanë ndarë duart e të ndjerit. Një punonjës i qendrës funerale ka ndërhyrë për të përzënë të rinjtë nga lokali. Ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur kur familja dhe të dashurit e të ndjerit janë lejuar të bëjnë nderimet e fundit para varrimit.
Varrimi i 16-vjeçarit u bë të shtunën e kaluar. Sipas Dimitri Van Damme, kreu i policisë Blankenberge, “hetimi është ende në vazhdim. Ngjarja u zbulua kur disa të rinj e panë të arsyeshme të shpërndanin imazhe në rrjetet sociale, që tashmë janë fshirë. Për të respektuar familjen dhe për të ruajtur qetësinë e nevojshme, nuk do të japim detaje të mëtejshme për këtë temë”, shtoi Van Damme.
“Në 35 vjet karrierën time në polici, nuk jam përballur kurrë me akte të tilla mosrespektimi. Këto janë fakte shumë serioze e shqetësuese”, përfundoi komandanti i korpusit.







