AKTUALITET /

I dënuar me 2 vite burg për blerje votash, nis seanca në Apel për Belerin! Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Daniela Shirka

Në seancën ndaj Belerit është e pranishme edhe ambasadorja greke Konstantina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule.

Shkruar nga B.V
I dënuar me 2 vite burg për blerje votash, nis seanca në Apel
Fredi Beleri

Tiranë- Sot në Apelin e GJKKO mbahet seanca për ankimimin e Fredi Belerit i cili ka kërkuar rrëzimin e vendimit për dënimin me 2 vite burg që iu caktua nga GJKKO nën akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Në seancën gjyqësore të sotme ndodhet e pranishme edhe ambasadorja greke, Konstantina Kamitsi dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Kërkesa e Belerit, do shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Daniela Shirka, Ilirjana Olldashi dhe Dhimitër Lara. Avokatja e Belerit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së GJKKO Daniela Shirka duke e cilësuar këtë të fundit, si të njëanshme. 

Vetëm pak ditë më parë, Fredi Beleri mori pjesë online në një mbledhje që kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis zhvilloi me eurodeputetët e zgjedhur të partisë “Demokracia e Re”. Beleri arriti të siguronte një vend në Parlamentin Europian ndërsa ndodhet në burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Beleri u arrestua më 12 maj dhe që prej asaj kohe ndodhet në qeli pasi u kap teksa blinte 8 vota me 40 mijë lekë. Po ashtu në seancën e sotme kërkohet pafajësia e Pandeli Kokaveshit, bashkëpunëtorit të Belerit i cili u arrestua bashkë me këtë të fundit mbrëmjen e 12 majit nën akuzën e blerjes së votave. Kokaveshi u dënua me 1.6 vite burg. Përfaqësuesit ligjorë kërkojnë papërdorshmëri të provave duke pretenduar se kemi të bëjmë me raste të falsifikimit të provave. Vendimi për dënimin e Belerit dhe Kokaveshit, u dha më 5 mars. Versus.al

 

Poll