Presidenca daneze e Bashkimit Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë për Shqipërinë në procesin e integrimit evropian. Gjatë një deklarate publike, Ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre, u shpreh se vendi i saj përkrah progresin e bërë nga Shqipëria dhe se së shpejti pritet hapja e dy grupkapitujve të fundit në kuadër të negociatave me BE-në.
“Shqipëria po bën përparim të madh, po zbaton reformat e kërkuara. Deri më tani kemi hapur katër grupkapituj. Besojmë se gjatë presidencës daneze mund të hapim një ose dy grupkapitujt e mbetur. Do të jetë një proces zgjerimi i bazuar në meritë, jo vetëm në rastin e Shqipërisë. Dua të them se Shqipëria është një nga vendet në Ballkanin Perëndimor që po tregon rezultate konkrete në këtë proces. Ne mbështesim objektivin e Shqipërisë për të vijuar në këtë rrugë dhe inkurajojmë të gjithë forcat politike të ndjekin planin ambicioz për mbylljen e procesit të negociatave”, tha Bjerre.
Në një raportim në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, ministrja Bjerre tha se objektivi i Presidencës daneze është që të gjitha vendet kandidate të afrohen më shumë me Brukselin: “Objektivi i Presidencës daneze është që të avancojë me negociatat me të gjithë kandidatët. Presidenca do të vijojë gjithashtu të shohë mundësitë për integrimin gradual të kandidatëve dhe të rrisë bashkëpunimin me to”. /Versus.al







