
Atij i pëlqen të flasë për veten, i do provokimet. Dhe në këtë aspekt nuk i ngjan aspak babait të tij, i cili nuk e donte të ishte në qendër të vëmendjes.
Pas postimeve plot dashuri për prindin më të njohur dhe pas ankandit ku shiti portretet e tij duke marrë dhjetëra komente entuziaste, Giuseppe Salvatore Riina, djali i Totò Riina-s – “capo dei capi” i Cosa Nostra-s – i rikthyer në Corleone pas kryerjes së një dënimi me 8 vite burg për krime mafioze, del sërish në skenë me një intervistë në Lo Sperone Podcast.
Ashtu si edhe në të kaluarën, në fjalët e tij nuk ka asnjë kritikë ndaj familjes, as shenjë pendese për krimet për të cilat ka qenë në burg. Përkundrazi.
Një portret tjetër për Totò Riinën
“Babai im nuk ka urdhëruar kurrë vrasjen e vogëlushit Giuseppe Di Matteo. Giovanni Falcone, kur e vranë, nuk i bënte më pengesa mafias apo Totò Riina-s, por të tjerëve prapa kuintave”, thotë ai para moderatorëve Gioacchino Gargano dhe Luca Ferrito, të cilët e presin me duartrokitje.
“Antimafia është një karrocë e mbushur me njerëz që kanë nevojë të rrinë nën dritat e skenës, dhe këtë e tregojnë rastet e gjyqtares Silvana Saguto dhe të sipërmarrësit Antonello Montante, antimafiozë vetëm në dukje”, shton ai me ton kritik.
Kur i kërkohet të flasë për babanë, ai nuk ngurron të thotë:
“Ka qenë një njeri me ‘N’ të madhe. Një person që gjithmonë luftonte sistemin. Serioz, i ndershëm, mbante gjithmonë fjalën dhe kujdesej për familjen. Nuk e kam parë kurrë të kryejë një akt dhune, as të kthehej në shtëpi me armë në dorë apo i përgjakur”, deklaron Giuseppe Salvatore, pa marrë parasysh dhjetëra dënimet me burgim të përjetshëm të babait të tij.
Moderatorët nuk e ndërpresin, duke e lënë të paraqesë një figurë të Totò Riina-s si të angazhuar në luftë kundër padrejtësive të latifondit dhe si viktimë e një konteksti të varfër e të dhunshëm. Një version i historisë që Cosa Nostra e ka përdorur gjithmonë.
“Babai u arrestua sepse i bëhej pengesë sistemit. Po kështu, në një moment të caktuar edhe Bernardo Provenzano dhe Matteo Messina Denaro filluan të bëheshin pengesë, sepse ishin të sëmurë dhe nuk i shërbenin më atij shteti që mbante në duar vërtet paratë e mafias”, thotë Riina i ri, duke përsëritur refrenin e njohur se mafia e vërtetë nuk është në Sicili, por në Romë.
Krahasimi i vetes me fëmijët e Gazës
I pakënaqur vetëm me “rehabilitimin” e figurës së të atit, Giuseppe Salvatore – “Salvuccio” për miqtë – shkon më tej, duke u krahasuar pa ngurrim me fëmijët e Gazës.
“Sepse ashtu si fëmijët palestinezë, edhe unë kam jetuar gjithmonë si në emergjencë të përhershme. Edhe pse, kur duhet të iknim nga një strehë në tjetrën me babin, për mua ishte si festë, sepse njihja vende të reja dhe njerëz të rinj. Nga ana tjetër, kurrë nuk më ndalohej të dilja nga shtëpia. Madje kam lindur në klinikën Noto, më të famshmen e Palermos, me emrin dhe mbiemrin e tim eti. Dhe të gjithë e dinin”, rrëfen ai pothuajse i kënaqur, duke folur për 24 vitet e arratisjes së padrinos së Corleone-s.
Falcone dhe Borsellino
Në bisedën e gjatë nuk mungon përmendja e Giovanni Falcone-s dhe Paolo Borsellino-s, dy gjyqtarëve të vrarë nga Riina dhe krerët e Cosa Nostra-s. Por, sipas Riina Jr, babai nuk ka lidhje me atentatet e vitit 1992.
“Urdhëruesit ishin të tjerë”, thotë me pasiguri. “Ndoshta dikush që donte të ndalte hetimet mbi riciklimin e parave ose mbi mafian në tendera”, hedh ai si ide. Dhe e mbyll: “Kush lëviz fijet, e di mirë se çfarë do.”
I pyetur nëse i ka ardhur keq për vdekjen e tyre, ai përgjigjet:
“Më ka ardhur keq sepse vdiqën. Dhe ndryshe nga disa kolegë të tyre, ata bënin vepra.”/Corriere della Sera







