Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-raportin për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së gjatë viteve 2023 dhe 2024.
Eurodeputetët kanë vënë në pah se Kosova ka bërë përparime të dukshme në reformat zgjedhore, në qëndrueshmërinë ekonomike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, por kanë cekur se sfidat mbeten në reformën e gjyqësorit, lirinë e mediave, efikasitetin e administratës dhe digjitalizimin e shërbimeve publike.
Raporti u miratua në Komisionin për Punë të Jashtme të mërkurën me 48 vota pro. 19 ishin kundër dhe gjashtë abstenuan.
Në raport ceket se dialogu Kosovë – Serbi s’ka dhënë rezultatet e pritura.
Thuhet se vendosmëria e Kosovës për t’iu anëtarësuar Bashkimit Evropian ka qenë konstante dhe të gjitha përpjekjet për të nxjerrë Kosovën nga “zona gri” janë si në interes të Kosovës ashtu edhe të BE-së.
Po ashtu mbështet plotësisht aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe qëllimi strategjik për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe të NATO-s, dhe po ashtu përpjekjet për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare.
Në raport është mirëpritur përparimi i bërë në gjykimin e rasteve të korrupsionit. Por i është bërë thirrje Kosovës që t'i përmirësojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e profilit të lartë të krimit të organizuar.
Në raport eurodeputetët kanë bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së kundër Kosovës.
Thuhet se masat nuk janë të justifikueshme pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së.
Eurodeputetët thonë se masat janë në kundërshtim të madh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe po e pengojnë rifillimin në mirëbesim të dialogut Kosovë – Serbi.
Në raport është nënvizuar se dialogu s’ka sjellë rezultatet e pritura dhe i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë t’i zbatojnë marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe e po ashtu Serbia t’i heqë kundërshtimet ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Të dyja vendeve u është kërkuar që t’i shmangin veprimet e njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e dialogut.
“Është e qartë se procesi i integrimit të Kosovës ka nevojë për një moment të ri – ne kemi nevojë për një kapitull të ri në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Është jashtëzakonisht pozitive që në peizazhin politik të Kosovës, të gjitha partitë kryesore janë fuqimisht në favor të integrimit në BE. E ardhmja e Kosovës është në familjen evropiane dhe do të punojmë së bashku në agjendën e reformave, pasi çdo anëtarësim i ardhshëm duhet të jetë i bazuar në merita”, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Ndërkohë në raportin e miratuar për Serbinë të mërkurën eurodeputetët i kanë bërë thirrje Serbisë që të “tregojë me seriozitet” orientimin e saj strategjik drejt BE-së.
Raporti për Serbinë është votuar me 55 vota pro, 13 kundër e 8 abstenime në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Është konstatuar se s’ka përparim në fusha kritike për anëtarësim në BE.
Janë cekur marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë. Eurodeputetët i kanë bërë thirrje BE-së ta rishqyrtojë masën e ndihmës financiare për Serbinë nëse ajo vazhdon t’i mbështesë ideologjitë antidemokratike dhe nuk arrin të përafrohet me sanksionet e BE-së dhe politikën e saj të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.
Është theksuar se korrupsioni vazhdon të jetë pengesë e madhe.
“Ritmi i përgjithshëm i negociatave të anëtarësimit varet edhe nga përkushtimi i Serbisë ndaj dialogut Beograd – Prishtinë, i cili duhet të zhvillohet në mirëbesim për të siguruar një marrëveshje ligjërisht të obligueshme të bazuar në njohje të ndërsjellë”, thuhet në raport.
Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka thënë se një krizë e gjatë politike, e intensifikuar nga mungesa e progresit në kriteret themelore, po ka ndikim të drejtpërdrejtë në përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.
“Për një kohë të gjatë Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së, duke i anashkaluar vlerat tona kryesore dhe orientimet tona gjeopolitike. Procesi i zgjerimit është i bazuar në meritokraci, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, tha Picula,








