
Ndërsa forcat kubane pësuan humbje të rënda duke mbrojtur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, raportet tregojnë se njësitë elitare ruse, të dërguara për të njëjtin mision, janë tërhequr pa ofruar rezistencë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin real të Moskës në Venezuelë.
Sipas burimeve të cituara nga media ndërkombëtare, kontingjenti rus në Karakas ishte më i madh dhe më me ndikim sesa ishte bërë e ditur publikisht. Ai përbëhej nga mbi 120 operativë të lidhur me shërbimet ushtarake ruse, përfshirë specialistë të luftës elektronike, dronëve dhe mbikëqyrjes teknologjike, shumë prej të cilëve kishin përvojë luftarake në Ukrainë.
Ndryshe nga forcat kubane, të cilat u përfshinë drejtpërdrejt në mbrojtjen e presidentit venezuelas dhe pësuan humbje, njësitë ruse nuk ndërmorën asnjë veprim ushtarak kur nisi operacioni amerikan. Raportohet se ato u tërhoqën nga pozicionet kyçe, ndërprenë komunikimet dhe shmangën çdo përplasje të drejtpërdrejtë.
Kontingjenti rus drejtohej nga gjenerali Oleg Makarevich, oficer që më herët ishte përfshirë në operacione të pasuksesshme në Ukrainë dhe që, sipas analistëve, ishte dërguar në Venezuelë jo si promovim, por si formë margjinalizimi brenda strukturave ushtarake ruse.
Një tjetër element domethënës është fakti se Rusia kishte nisur evakuimin e familjeve të diplomatëve të saj nga Karakasi disa javë përpara zhvillimeve ushtarake, çka sugjeron se Moska parashikonte përshkallëzimin e situatës dhe kishte zgjedhur të minimizonte përfshirjen e drejtpërdrejt.
Këto zhvillime kanë nxitur akuza për “tradhti strategjike”, duke theksuar kontrastin e fortë mes sakrificës së forcave kubane dhe tërheqjes së qetë të njësive ruse. Analistët vlerësojnë se rasti i Venezuelës tregon kufijtë e gatishmërisë së Rusisë për t’u përballur drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara jashtë zonave të saj prioritare.

