
Thomas Strakosha ka folur hapur dhe me ndjenjë për identitetin e tij kombëtar, gjatë një emisioni televiziv në Greqi, duke sqaruar një herë e mirë dilemat që shpesh kanë shoqëruar emrin e tij për shkak të rritjes dhe formimit në shtetin fqinj.
“Unë e kam thënë gjithmonë që e dua dhe e respektoj Greqinë sepse jam rritur aty, por gjithmonë jam ndjerë shqiptar dhe përfaqësoj rrënjët e mia. Ndaj zgjedhja e fanellës kuqezi ishte e lehtë. Prindërit më kanë përcjellë atdhedashurinë”, u shpreh Strakosha.
Deklarata e tij është pritur me interes të madh, jo vetëm nga tifozët shqiptarë, por edhe nga publiku grek, duke qenë se Strakosha ka kaluar një pjesë të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij sportive në Greqi. I lindur në Athinë, ai është rritur në një familje shqiptare, ku ndjenja e përkatësisë kombëtare ka qenë gjithmonë e fortë, e trashëguar veçanërisht nga i ati, ish-portieri i njohur i Kombëtares shqiptare, Foto Strakosha.
Thomas Strakosha ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke u kthyer në një nga emrat më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare në vitet e fundit. Ai ka qenë portieri titullar i kuqezinjve në ndeshje kualifikuese, kompeticione zyrtare dhe miqësore, duke fituar besimin e stafit teknik dhe tifozëve me paraqitjet e tij të sigurta.
Karriera e tij ka qenë e lidhur ngushtë edhe me Greqinë, ku ka hedhur hapat e parë si futbollist dhe është formuar profesionalisht, përpara se të spikaste në kampionate të tjera evropiane. Megjithatë, pavarësisht mundësive dhe realitetit ku është rritur, zgjedhja për të veshur fanellën kuqezi nuk ka qenë kurrë në dyshim për të.
“Gjithmonë jam ndjerë shqiptar”, thekson Strakosha, duke e bërë të qartë se identiteti, rrënjët dhe edukimi familjar kanë qenë vendimtarë në rrugëtimin e tij.
View this post on Instagram

