BOTA /

Franca ndalon "flotën fantazmë” ruse në Mesdhe, Macron: Nuk lejojmë t'u shmangen sanksioneve

Shkruar nga Versus

Franca ndalon "flotën fantazmë” ruse në Mesdhe,

Forcat detare franceze kanë ndaluar dhe kontrolluar një cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë, në një operacion të zhvilluar pranë brigjeve të Siçilisë. Presidenti francez Emmanuel Macron, publikoi edhe pamje nga operacioni, ku shihen ushtarë francezë duke hipur në anije dhe duke kryer kontrolle.

Sipas Macron, anija me emrin Deliver u ndalua pasi po lundronte në kundërshtim me ligjin detar ndërkombëtar.  Sipas të dhënave të inteligjencës ukrainase, “Deliver” është një anije me flamur të Kamerunit që prej vitit 2024 është përfshirë në eksportin e naftës ruse, kryesisht nga portet e Detit Baltik dhe Detit të Zi.

“Flota fantazmë” është rrjeti i anijeve që Rusia përdor për të anashkaluar sanksionet perëndimore ndaj sektorit të saj energjetik. Këto mjete lundruese operojnë përmes strukturave të ndërlikuara pronësie, flamujve të vendeve të treta dhe metodave të tjera që fshehin origjinën e ngarkesës.

Operacioni francez vjen vetëm pak ditë pasi Mbretëria e Bashkuar njoftoi se kishte ndaluar dhe kontrolluar cisternën ruse Smyrtos në Kanalin Anglez.

Autoritetet britanike bënë të ditur se operacioni zgjati gjashtë orë dhe përfshiu komandot detare, oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimit, helikopterë ushtarakë dhe anije të Marinës Mbretërore.

“Ky veprim i fundit kundër flotës fantazmë, i zhvilluar vetëm pak ditë pas një operacioni të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar, tregon vendosmërinë e europianëve”, deklaroi Macron.

Presidenti francez theksoi se vendet europiane nuk do të lejojnë që këto anije të shmangin sanksionet ndërkombëtare dhe të financojnë përpjekjet ushtarake të Rusisë.

“Ne nuk do të lejojmë që flota fantazmë të anashkalojë sanksionet dhe të financojë luftën e Rusisë”, u shpreh ai. Versus.al

Poll