
Prokuroria Speciale e Hagës ka njoftuar mbylljen e paraqitjes së provave nga ana e saj në gjyqin kundrejt ish-krerëve të UÇK, Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të cilët prej 4 vitesh mbahen në paraburgim.
Gjyqi ndaj tyre filloi më 3 prill të vitit 2023. Në procesin e paraqitjes së provave kundrejt të akuzuarve për krime lufte, Prokuroria solli 125 dëshmitarë dhe paraqiti 3 mijë prova materiale.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.
Sipas aktakuzës, krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe individëve që nuk ishin pjesëmarrës në luftime në një periudhë prej të paktën marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 në shumë vende në të gjithë Kosovë dhe në Shqipërinë e veriut. Në këtë gjyq janë pjesëmarrës më shumë se 150 viktima dhe ata përfaqësohen nga Avokati i Viktimave.
Tashmë pritet që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK të japë argumentet e saj në mbrojtje të ish-zyrtarëve të lartë të Kosovës. Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tyre në qelitë e Hagës, morën leje për ndarjen nga jeta të prindërve të tyre, Veseli për nënën e ndjerë, ndërsa së fundmi Thaçi për të atin, mori leje vetëm dy ditë pas varrimit të tij. Qarqet shqiptare e konsiderojnë procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë si një totalisht antiligjor dhe të padrejtë. Versus.al








