
Ditën e sotme është mbajtur ceremonia mortore për Haxhi Thaçin, të atin e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi i cili ndërroi jetë ditën e djeshme.
Pjesë e ceremonisë ku u mbajtën edhe fjalime në nder të Thaçit që u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare, morën pjesë edhe figura të njohura të politikës së Shqipërisë.
Ndërsa një fjalim prekës e mbajti edhe djali i Hashim Thaçit, Endrit Thaçi i cili vuri në dukje dhimbjen e gjyshit të ndjerë për faktin se nuk po takonte dot djalin e tij Hashim Thaçi i cili mbahet në paraburgimin e Hagës.
Por ai shtoi se pavarësisht mungesës së Hashim Thaçit në varrim, gjetën mbështetje nga të pranishmit e ardhur nga Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.
“Gjyshi asnjëherë nuk është dorëzuar përballë sëmundjeve. Shpresa për të takuar babin dhe bashkëluftarin e tij në Hagë ishte më e madhe sesa dhimbja e sëmundjeve. Besimi në pafajësinë e tyre ishte më i hekurt sesa aktakuza e padrejtë në muajt e fundit. Në çdo ditë, ai priste që babi të hapte derën e spitalit. Nuk u dorëzua dhe u rikthye në jetë shumë herë. Tre orë bisedim ato ditë u bënë orët më të rëndësishme të jetës së tij, një bisedë baba e bir, që të dy kërkonin lirinë që jemi.
Vdekjen e pashë në fytyrën e babait kur doli nga spitali. Gjyshi i mbajti të gjithë vuajtjet dhe dhimbjet që kaluam si popull. Por këto katër vite nuk i mbijetoi vuajtjeve dhe dhimbjes nga padrejtësia, një sëmundje e pasherueshme për njerëz të fortë, krenarë dhe me dinjitet. Dhe siç thoshte shpesh gjyshi, ‘me vdek pa u korit’, por as sot nuk jemi koritur. Fatkeqësisht, babain nuk e lejuan ta marrë lamtumirën e fundit me ne sot. Nuk e lejuan që t’i ofroja një grusht dheu të Drenicës mbi ballë, por në vend të babait sot ka ardhur Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina”, tha Thaçi.
Më herët edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës së Hagës e cila nuk i dha leje Thaçit për të qenë i pranishëm në varrimin e të atit të ndjerë. Versus.al







