
Një 12-vjeçare nga Venezuela arriti të mbijetojë për 32 orë e bllokuar nën rrënojat e pallatit të saj, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor.
Në momentin e tërmetit, Fabiana ndodhej në apartamentin e tyre në katin e parë. Ajo vrapoi drejt kuzhinës dhe u kap pas banakut, por pak çaste më vonë muret nisën të shembeshin rreth saj.
“Pashë gjithçka duke u dridhur, duke rënë e duke u copëtuar. Muret u çanë dhe mendova se do të vdisja. Besova se askush nuk do të mund të më shpëtonte”, tregon 12-vjeçarja.
E bllokuar nën rrënoja, Fabiana mbeti e shtrirë me fytyrë nga lart, e rrethuar nga betoni dhe mbeturinat e ndërtesës.
Megjithëse vuan nga ankthi dhe klaustrofobia, ajo thotë se në ato momente ndjeu një qetësi të pazakontë.
"Nuk e di pse, por një qetësi e çuditshme më pushtoi. Ndoshta isha në gjendje shoku", rrëfen ajo.
Pak më vonë, një infermiere që kishte mbetur gjithashtu e bllokuar në rrënoja nisi të thërriste për të parë nëse kishte të mbijetuar. Fabiana iu përgjigj dhe infermierja e inkurajoi të qëndronte e qetë, duke i thënë se do të shpëtohej.
Gjashtë orë pas tërmetit, rreth mesnatës, infermierja u shpëtua. Ajo u tha vullnetarëve që e nxorën se një vajzë me emrin Fabiana ishte gjallë brenda.
"I isha dorëzuar Zotit duke kërkuar forcë për të filluar një jetë të re pa Fabianën. Dhe pastaj dikush më tha: 'Vajza jote është gjallë'", tha Karina, nëna e 12 vjeçares.
Ajo vrapoi përsëri në ndërtesë duke bërtitur drejt boshllëqeve në rrënoja, duke thirrur emrin e vajzës së saj.
Përmes grumbullit të rrënojave, Fabiana nuk dëgjoi asgjë.
"Për ndonjë arsye, kisha shpresë dhe besim," tha ajo.
"Njëra këmbë më ishte e përkulur në një pozicion të dhimbshëm dhe zhvendosa disa nga rrënojat në mënyrë që ta drejtoja. Ndërsa bëja këtë, mora gërvishtje dhe prerje, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë. Kjo është ajo që më mbajti të vetëdijshme."
Në agim, një grup zjarrfikësish venezuelianë mbërritën në ndërtesë. Ata hynë në rrënoja dhe thirrën Fabianën, por nuk dëgjuan asgjë në përgjigje.
Ishte një nga shumë momentet kur Karina kaloi nga shpresa në dëshpërim.
"Më thanë se nuk mund të bëhej asgjë dhe ikën. Më shkoi mendja se ndoshta ajo ishte mbytur ose kishte pësuar një atak në zemër. Pastaj një vullnetar erdhi tek unë dhe më pyeti se çfarë po ndodhte. Ai - Viktori - ishte heroi im", tha ajo.
Nën rrënoja, Fabiana gjeti telefonin e saj. Nuk kishte sinjal pasi rrjetet e telefonisë celulare ishin ndërprerë, por vendosi të regjistronte një video të vetes. Mendoi se përfundimisht do të ishte në gjendje t'ia dërgonte nënës së saj ose dikujt që mund ta ndihmonte.
"Apartament - Pallati Ritamar. Pati një tërmet dhe shumë rrënoja kanë rënë. Nuk ka dritë. Nuk ka askush për të na shpëtuar. Jam vetëm. Shumë fqinjë janë të bllokuar në rrënoja. Kemi nevojë për ndihmën tuaj", shihet Fabiana duke thënë në video.
Ndërkohë, Viktori ishte ngjitur mbi rrënoja dhe kishte filluar t’i thërriste Fabianës. Këtë herë ajo e dëgjoi dhe iu përgjigj. Ai ia tregoi Karinës.
"U ktheva nga të gjithë dhe bërtita, 'vajza ime është gjallë'," tha Karina. "Njerëzit filluan të vinin me turma, filluan të sillnin mjete. Por zjarrfikësit që ishin atje thanë se ishte e pamundur të kalohej andej dhe u larguan."
Disa orë më vonë mbërriti një grup tjetër zjarrfikësish. Ata e siguruan se do ta nxirrnin Fabianën jashtë. Por as ata nuk arritën ta kontaktonin atë.
Ndërkohë, Viktori - vullnetari - vazhdonte të kthehej në vendin nga ku mund të fliste me Fabianën për ta qetësuar.
Zjarrfikësit thirrën një grup shpëtimi nga Karakasi, por kur mbërritën, ishte errësuar.
Karina vrapoi përreth duke kërkuar pishtarë dhe iu lut njerëzve të ndihmonin. Shtatë motoçikleta dhe disa makina drejtuan dritat e tyre nga ndërtesa e shembur.
Pak nga pak ata gdhendën dhe më në fund bënë një vrimë aq të madhe sa mund të shihnin Fabianën.
Videoja e këtij momenti - e një Fabiane të buzëqeshur që shikon përmes vrimës - është bërë virale në Venezuelë.
"Pas kaq shumë orësh mbylljeje, u mbusha me gëzim kur i pashë. E kuptova se do të më shpëtonin", tha Fabiana.
Rreth orës 02:00 sipas orës lokale të premten - 32 orë pasi goditën tërmetet - ata arritën të gërmonin një tunel mjaftueshëm të gjerë për të nxjerrë Fabianën. Ajo doli nga rrënojat me mbështetjen e ekipeve të shpëtimit dhe u shemb në krahët e nënës së saj.
"Kur dola, pashë familjen time, pashë ndërtesën të shembur plotësisht dhe më dukej sikur nuk ishte e vërtetë, sikur të ishte një serial televiziv", tha Fabiana.
Karina thotë se nga gati 50 njerëzit që jetonin në ndërtesën e saj, vetëm tre u shpëtuan gjallë.
Deri të dielën, 3,342 persona u konfirmuan të kenë vdekur nga tërmetet, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Përveç një frakture në këmbën e majtë dhe disa gërvishtjeve dhe mavijosjeve, Fabiana nuk pësoi lëndime të tjera.

