AKTUALITET /

‘Tërmet’ në Kadastër, SPAK sekuestron telefonin e Lorena Goxhobellit! Dyshime për tjetërsime pronash e përfshirje të grupeve kriminale

Prokurorët po hetojnë skemën e dyshuar të pastrimit të parave me tjetërsimin e pronave ku dyshohet se janë përfshirë edhe zyrtarë të Kadastrës.

Shkruar nga Versus
‘Tërmet’ në Kadastër, SPAK sekuestron telefonin e
Lorena Goxhobelli, drejtoreshë e AKSH

Prokuroria e Posaçme ka zbarkuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës ku po heton disa drejtues dhe zyrtarë në disa qytete të vendit pas dyshimeve për një skemë të organizuar korrupsioni që lidhet me tjetërsimin e pronave, legalizime të paligjshme apo bashkëpunim me grupe kriminale.

Mësohet se hetimet po zhvillohen edhe ndaj drejtoreshës së Përgjithshme, Lorena Goxhobelli të cilës i është sekuestruar telefoni. Nën hetim janë edhe vartës të saj të cilët mund të kenë favorizuar regjistrimin e pronave në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë, sipas informacioneve SPAK ka vendosur sekuestro mbi disa sipërfaqe toke në zonën e Livadhit në Himarë dhe pritet të ketë edhe aksione të tjera në vijim. Vatrat kryesore të korrupsionit dyshohet se ndodhen në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Elbasan. Prokurorët e posaçëm po hetojnë ndikimin e grupeve kriminale që dyshohet se kanë krijuar një mekanizëm për lehtësimin e pastrimit të parave duke tjetërsuar pasuritë e paligjshme dhe duke investuar në sektorin e ndërtimit, siç e treguan edhe zbardhjet e përgjimeve në SkyEcc së fundmi. Versus.al

Poll