Gjenerali në pension i Forcave Ajrore të SHBA-së dhe ish‑komandant i lartë në NATO, Philip Breedlove, ka vënë në dukje rëndësinë kyçe të bazave ajrore rumune, në veçanti Mihail Kogălniceanu (MK), për çdo mision paqeruajtës që mund të zhvillohet në Ukrainë pas përfundimit të konfliktit.
Në një intervistë për gazetën Kyiv Post, Breedlove deklaroi se logjistika për një operacion stabilizimi nuk është në vijën e frontit, por qindra kilometra larg në Rumani, ku infrastruktura strategjike dhe bazat ajrore mund të ofrojnë mbështetje thelbësore.
Ai cilëson bazën Mihail Kogălniceanu (MK) si “Ramstein-i i Lindjes”, një referencë për bazën kryesore amerikane Ramstein në Gjermani, që ka shërbyer si qendër e operacioneve NATO-s.
Breedlove thotë se MK është pozicionuar në mënyrë unike, jo vetëm gjeografikisht, por edhe nga infrastruktura dhe kapacitetet për t’u bërë një nyje logjistike për çdo operacion ndërkombëtar në Ukrainë.
Rumania ka përjashtuar opsionin e dërgimit të trupave të veta ushtarake në Ukrainë, për shkak të shqetësimeve gjeopolitike dhe frikës së përhapjes së konfliktit në territorin e vet. Breedlove vuri në dukje se ky frikë është e ndarë edhe nga Polonia dhe vende të tjera të Flankut Lindor.
Ndërkohë, shtypi rumun raporton se baza MK po kalon përmirësime të mëdha: po ndërtohen pista, hapësira të reja dhe kapacitete që në vitet në vijim do të lejojnë stacionimin dhe mbështetjen e detyrave të mëdha ushtarake.
Sipas gjeneralit Breedlove, pa bazat ajrore strategjike si MK në Rumani, çdo mision paqeruajtës serioz në Ukrainë rrezikon të mos ketë logjistikë të qëndrueshme apo kapacitete infrastrukturore të nevojshme. Ky argument hap diskutime për rolin që vendet lindore mund të kenë, jo domosdoshmërisht me trupa, por me facilitetet dhe mbështetje materiale.







