BOTA /

Jo vetëm Beogradi/ Serbia bllokohet nga dhjetëra mijëra protestantë

Zemërimi për shembjen e strehës në nëntor, që la të vdekur 15 persona, është përhapur në të gjithë vendin, me dhjetëra mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon më shumë përgjegjësi dhe drejtësi.

Shkruar nga Versus

Jo vetëm Beogradi/ Serbia bllokohet nga dhjetëra mijëra

"Qarkullimi në rrugën e marshimit do të pezullohet dhe do të ridrejtohet. Anëtarët e policisë së trafikut dhe të departamentit të rendit publik, si dhe autoambulancat dhe cisternat me ujë, do të vendosen përpara dhe pas kolonës”, tha ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç.

Zemërimi për shembjen e strehës në nëntor, që la të vdekur 15 persona, është përhapur në të gjithë vendin, me dhjetëra mijëra njerëz që kanë dalë në rrugë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon më shumë përgjegjësi dhe drejtësi.

Si përgjigje, kryeministri Milos Vuçeviç dhe kryetari i Novi Sadit, Milan Gjuriç, dhanë dorëheqjen këtë javë, duke thënë se e konsiderojnë veten “objektivisht përgjegjës” për atë që ndodhi.

Protestat kanë shtuar presionin mbi presidentin populist serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po përballet me sfidën më të madhe që nga marrja e detyrës një dekadë më parë.

Vuçiq tha më 29 janar se partia e tij në pushtet do të vendosë brenda 10 ditëve të ardhshme nëse do të propozojë një qeveri të re, apo do të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shembja e çatisë ndodhi pasi stacioni hekurudhor i Novi Sadit ishte rinovuar dy herë në vitet e fundit nga një konsorcium i udhëhequr nga Kina, me katër kompani. Hekurudhat Serbe këmbëngulën se rinovimi nuk përfshinte mbulesën prej betoni, por disa ekspertë e kundërshtuan këtë, ndërsa shumë njerëz fajësojnë korrupsionin dhe mbikëqyrjen e dobët të ndërtimit për tragjedinë.

Pjesëmarrësit në demonstratat e fundit kërkuan përgjegjësi për ata që konsiderohen fajtorë për tragjedinë e Novi Sadit. Ata, gjithashtu, kërkuan hetime për zyrtarët lidhur me rrahjen e studentëve gjatë protestave.

Studentët kanë mbajtur të bllokuara mbi 60 universitete shtetërore për dy muajt e fundit. Kërkesa e tyre kryesore është që autoritetet të publikojnë të gjithë dokumentacionin mbi projektet e rindërtimit të stacionit hekurudhor.

Autoritetet pretendojnë se të gjitha kërkesat e tyre janë plotësuar dhe u bëjnë thirrje studentëve t’i hapin fakultetet.

Akademikët, nga ana tjetër, thonë se kërkesat janë plotësuar vetëm pjesërisht dhe pezullimi i punës në fakultete do të vazhdojë deri në një njoftim të dytë. Ata këmbëngulin se dokumentacioni mbi rindërtimin e stacionit të trenit, i publikuar në faqen e internetit të Qeverisë së Serbisë dhe në faqen e internetit të prokurorit të Përgjithshëm në Novi Sad, është jo i plotë./REL/

 

 

Poll