
Një situatë kaotike është regjistruar sot në aeroportet kryesore të Stambollit, ku dhjetëra fluturime janë vonuar ose anuluar, duke shkaktuar probleme të shumta për pasagjerët.
Sipas mediave turke, bllokimet janë raportuar si në aeroportin ndërkombëtar të Stambollit, ashtu edhe në aeroportin “Sabiha Gökçen”, ku fluksi i lartë i udhëtarëve është shoqëruar me vonesa të gjata dhe pritje të zgjatura.
Raportimet tregojnë se një nga arsyet kryesore të situatës është kufizimi i hapësirës ajrore në disa vende të Lindjes së Mesme, çka ka detyruar devijimin dhe shtyrjen e shumë fluturimeve. Kjo ka krijuar një efekt zinxhir në oraret e linjave ajrore.
Në të njëjtën kohë, autoritetet dhe kompanitë ajrore përballen me mbingarkesë operacionale, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e fluturimeve në kohë reale.
Pasagjerët janë këshilluar të kontrollojnë vazhdimisht statusin e fluturimeve të tyre dhe të paraqiten në aeroport me kohë shtesë, për shkak të pasigurive që vijojnë gjatë ditës.
Ndërkohë, situata mbetet dinamike dhe pritet që vonesat të vijojnë deri në stabilizimin e trafikut ajror në rajon.

