
Presidenti federal Frank-Walter Steinmeierkujtoi nëntë viktimat e sulmit racist në OEZ të Mynihut, të kryer dhjetë vjet më parë. Në fjalimin e tij ai u shpreh qartë kundër racizmit dhe antisemitizmit, si dhe kundër çdo kategorizimi të njerëzve vetëm sipas origjinës së tyre.
"Le ta kuptojmë më në fund: histori migrimi nuk kanë vetëm individët, por e ka i gjithë vendi ynë. Gjermania është një vend me histori migrimi. Kjo është pjesë e identitetit tonë", tha Steinmeier. Ai theksoi gjithashtu: "Viktimat e Mynihut do të mbeten përgjithmonë në kujtesën tonë."
Në ceremoninë përkujtimore morën pjesë familjarë të viktimave dhe të mbijetuar, si edhe presidentja e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner (CSU), dhe kryetari i bashkisë së Mynihut, Dominik Krause (Të Gjelbrit).
Të afërmit e viktimave të sulmit në OEZ: "Na lanë në baltë"
Dhjetë vjet më parë, një atentator i ekstremit të djathtë vrau nëntë persona në Qendrën Tregtare Olimpike të Mynihut, tre nga viktimat ishin me prejardhje nga Kosova.
Steinmeier bën thirrje për vetëdije historike. Presidenti tha se urrejtja dhe synimi shkatërrues i autorit të sulmit ishin drejtuar kundër njerëzve që ai i konsideronte inferiorë dhe të cilëve ua mohonte të drejtën për të jetuar. "Ne e njohim këtë ideologji. Në histori, gjermanët kanë vrarë miliona njerëz duke u udhëhequr nga kjo ideologji", tha ai.
Presidenti federal paralajmëroi: "Asnjëherë nuk duhet të pajtohemi me faktin që mënyra të tilla të menduari të fitojnë sërish hapësirë në vendin tonë. As tek ata që jetojnë këtu prej brezash, e as tek ata që kanë ardhur më vonë."
Sipas tij, antisemitizmi dhe racizmi nuk duhet të kenë vend në shoqëri. "Të sigurohemi për këtë është detyrë e secilit prej nesh", tha Steinmeier. Askush nuk është më i vlefshëm se tjetri për shkak të prejardhjes së vet.
"Duhet të luftojmë, secili në mënyrën e vet dhe aty ku ndodhet, një klimë shoqërore që është armiqësore ndaj njerëzve me histori migrimi", shtoi ai.
Steinmeier kujtoi gjithashtu sulme të tjera vdekjeprurëse të motivuara nga ekstremizmi i djathtë, si atentatet në Halle dhe Hanau, serinë e vrasjeve të NSU-së, vrasjen e presidentit të qeverisë rajonale të Kasselit, Walter Lübcke, si dhe atentatin në Oktoberfest të Mynihut në vitin 1980.
Shpesh bëhet fjalë për autorë të vetëm, ku "fanatizmi ideologjik, fantazitë e dhunshme, botëkuptimet irracionale dhe çrregullimet psikike krijojnë një rrjet motivesh që ndonjëherë është i vështirë të zbërthehet". Megjithatë, sipas tij, ekziston gjithmonë një "bërthamë e fortë ideologjike".
Nëntë persona u vranë
Më 22 korrik 2016, 18-vjeçari David S., i motivuar nga bindje raciste, vrau tetë të rinj dhe një grua të rritur në Qendrën Tregtare Olimpike (OEZ) dhe më pas vrau veten. Disa prej viktimave kishin origjinë turke, greke ose shqiptare, ndërsa të tjerë i përkisnin komunitetit Sinti dhe Rom.
Fillimisht autoritetet e klasifikuan ngjarjen si një sulm të tipit "amok" i motivuar nga hakmarrja personale. Vetëm në vitin 2019, Zyra Kriminale e Landit të Bavarisë e vlerësoi zyrtarisht si një krim me motive raciste.
Familjarët e viktimave kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor në parlamentin bavarez për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Edhe data e sulmit tregonte bindjet e tij të djathta dhe raciste: pesë vjet më parë, më 22 korrik 2011, në Norvegji ndodhi një sulm racist ku u vranë 77 persona, kryesisht të rinj. DW

