
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të dielën se Izraeli nuk ka nevojë për dritë jeshile për të sulmuar armiqtë e tij, duke theksuar se vendi është një “shtet i pavarur”.
“Politika jonë e sigurisë është në duart tona,” tha ai gjatë një mbledhjeje të kabinetit. “Ne i përgjigjemi sulmeve sipas gjykimit tonë, siç pamë në Liban dhe së fundmi në Gaza.”
Deklarata e tij vjen pas një jave vizitash nga zyrtarë të lartë amerikanë që synonin të konsolidonin armëpushimin në fuqi në Gaza që nga 10 tetori.
Netanyahu shtoi gjithashtu se Izraeli do të ketë të drejtë vetoje mbi përzgjedhjen e forcave ndërkombëtare që do të vendosen në Gaza pas armëpushimit me Hamasin. “Ne ua kemi bërë të qartë forcave ndërkombëtare se Izraeli do të vendosë se cilat forca janë të papranueshme për ne,” tha kryeministri, duke theksuar kundërshtimin e tij ndaj vendosjes së forcave turke në rajon.
