Disidenti rus, Aleksei Navalny, kundërshtari më i ashpër i presidentit rus, Vladimir Putin, ka besuar se do të vdiste në burg, sipas një libri, që pritet të publikohet më 22 tetor.
Revista amerikane, The New Yorker ka publikuar të premten pjesë të librit në të cilin është përfshirë ditari i Navalnyt në burg, dhe dorëshkrime tjera të tij.
“Do të kaloj pjesën e mbetur të jetës në burg dhe do të vdes këtu”, ka shkruar ai më 22 mars 2022.
“Nuk do të kem kujt t’i them lamtumirë… të gjithë përvjetorët do të festohen pa mua. Nuk do t’i shoh kurrë nipat dhe mbesat e mia”.
Navalny ka qenë duke kryer dënimin me 19 vjet burg, nën akuzat për “ekstremizëm”, në një burg në Arktik.
Vdekja e tij më 16 shkurt, në moshën 47-vjeçare, është dënuar ashpër nga Perëndimi dhe shumica e kanë fajësuar Putinin.
Navalny është arrestuar në janar të vitit 2021, pasi kthimit në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar pas një helmimi me agjent nervor në një qytet rus.
“E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është që t’ia dorëzojmë atdheun një bande të plaçkitësve, hajnave dhe hipokritëve”, ka shkruar ai më 17 janar 2022.
Në dorëshkrimet e tij vërehet vetmia në burg, por pa i humbur dozat e humorit.
Për shembull, më 1 korrik 2022, Navalny e ka përshkruar ditën e tij të zakonshme: zgjimi në orën 6:00, mëngjesi në 6:20 dhe nisja e punës në 6:40.
“Në punë, rrini të ulur për shtatë orë duke qepur në makinë”, ka shkruar ai.
“Pas punës, vazhdoni të rrini të ulur për disa orë në një stol druri, para portretit të Putinit. Ky quhet ‘aktivitet disiplinor’”.
Libri, i quajtur “Patriot”, do të publikohet prej shtëpisë botuese amerikane, Knopf, e cila planifikon të publikojë edhe versionin rus.
“Është e pamundshme të lexosh ditarin e Navalnyt në burg pa u tmerruar nga tragjedia e vuajtjeve të tij, nga vdekja e tij”, ka thënë redaktori i New Yorkerit, David Remnick.
Në dorëshkrimin e fundit të tij, më 17 janar 2024, Navalny i përgjigjet pyetjes që i kanë bërë shumë persona në burg, se pse është kthyer në Rusi.
“Nuk dua të heq dorë nga shteti im, apo ta tradhtoj atë. Nëse bindjet tuaja do të thonë dika, duhet të përgatiteni për t’i mbajtur ato, dhe për të bërë sakrifica, nëse është e nevojshme”, ka thënë ai. REL