Shërbimet e sigurisë në të gjithë Evropën janë në gatishmëri maksimale për shkak të emergjencës së lidhur me zjarrvëniet dhe sabotimet në vendet baltike, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Shërbimet e sigurisë së këtyre vendeve nuk përjashtojnë mundësinë që këto veprime të jenë një armë e re potenciale e Rusisë, që synon destabilizimin e Evropës
Ka disa raste që mund të lidhen me ndërhyrjen ruse në vendet evropiane.
Për zjarrin në Ikea në Vilnius, Poloni, kryeministri Donald Tusk tha se një diversant i huaj mund të qëndronte pas incidentit.
Të martën, ministri estonez i mbrojtjes, Hanno Pevkur, një samit të mbrojtjes të BE-së, në Bruksel tha se vendi itij kishte qenë tashmë viktimë e sabotazhit rus.
“Ata kanë kryer operacione të ngjashme në Estoni. Ata punësuan 10 persona për të sulmuar makinën e ministrit të Brendshëm dhe makinën e një gazetari. Kjo është sjellje normale e Rusisë. Na vjen keq të themi, por duhet të kuptojmë se Rusia është gjithnjë e më agresive ndaj vendeve evropiane dhe gjithashtu vendeve të NATO-s”, tha ai.
Ai i referohej incidenteve në shkurt kur u thyen xhamat e makinave që i përkisnin ministrit të brendshëm, Lauri Läänemets, dhe një gazetari.
Gjashtë persona u arrestuan menjëherë më pas, duke përfshirë shtetas rusë dhe shtetas të dyfishtë ruso-estone, tha prokurori.
Në Gjermani, ka gjithashtu dyshime për sulme të nxitura nga inteligjenca e huaj, përveç një vale sulmesh kibernetike në vitin 2023 nga një grup hakerash i lidhur me inteligjencën ruse.
Muajin e kaluar, dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan me dyshimin se po planifikonin sulme sabotazhi, përfshirë në një bazë ushtarake në Bavari. I dyshuari kryesor është akuzuar për planifikim të një shpërthimi, zjarrvënie dhe mbajtjen e kontakteve me inteligjencën ruse.
Hetuesit në Francë po shqyrtojnë nëse grafiti i pikturuar në memorialin e Holokaustit në Paris javën e kaluar ishte urdhëruar nga shërbimet ruse të sigurisë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjithashtu ka drejtuar gishtin nga Moska.
“Ne kemi parë disa arrestime në të gjithë aleancën dhe vende të ndryshme aleate të NATO-s të njerëzve që akuzohen për zjarrvënie ose sabotim. Sigurisht që këto janë procese ligjore në vazhdim”, tha ai.
“Por ajo që mund të them është se ne kemi parë një rritje të aktivitetit të inteligjencës ruse në të gjithë aleancën. Prandaj ne kemi rritur vigjilencën tonë.”







