
Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleat dhe partner kyç i NATO-s në Evropë, por do t'i japin përparësi sigurisë së brendshme dhe parandalimit të rrezikut nga Kina, sipas një strategjie të re mbrojtëse të publikuar të premten.
Dokumenti thotë se Uashingtoni do të vazhdojë të luajë një rol qendror brenda NATO-s, edhe pse ribalancon praninë e saj ushtarake në Evropë. Ndërsa angazhimi amerikan në Evropë do të vazhdojë, strategjia e re thotë se Shtetet e Bashkuara "duhet dhe do t'i japin përparësi mbrojtjes së brendshme dhe parandalimit nga Kina".
Në Evropë dhe gjetkë, “aleatët do të marrin drejtimin kundër kërcënimeve që janë më pak serioze për ne, por më serioze për ta, me mbështetje kritike, por më të kufizuar nga Shtetet e Bashkuara”.
Publikimi i strategjisë së re të mbrojtjes vjen pas publikimit në mesin e dhjetorit të strategjisë së re të sigurisë kombëtare të SHBA-së, e cila u pa gjerësisht si një ndërprerje e traditës së bashkëpunimit të ngushtë transatlantik. Në atë dokument thuhej se strategjitë e mëparshme të SHBA-së nuk i kishin dhënë peshë të mjaftueshme interesave kombëtare, duke i dhënë përparësi mbrojtjes së vendeve të tjera - në dëm të popullit amerikan. Qasja e re, udhëhiqet nga parimi “Amerika e Para”.

