
Ministri i Jashtëm i Iran, Abbas Araghchi, ka deklaruar se vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke shkëmbyer mesazhe, por nuk po zhvillojnë negociata formale për përfundimin e konfliktit.
Në një intervistë për Al Jazeera, Araghchi theksoi se komunikimi zhvillohet “drejtpërdrejt ose përmes miqve në rajon”, duke sqaruar se kjo nuk përbën një proces të mirëfilltë negociues. Ai shtoi se merr mesazhe edhe nga i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Ministri iranian mohoi gjithashtu raportimet se Teherani i është përgjigjur një plani 15-pikësh të propozuar nga SHBA, duke kundërshtuar informacionet e publikuara nga Tasnim News Agency.
Sipas tij, kushtet e Iranit për përfundimin e konfliktit mbeten të pandryshuara, duke përfshirë garanci që sulmet nuk do të përsëriten dhe kompensim për dëmet e shkaktuara.
Araghchi theksoi se Irani nuk do të pranojë një armëpushim të përkohshëm, por synon një përfundim të plotë të luftës në të gjithë rajonin./Versus.al

