BOTA /

Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon kërkesën e Osmanit në lidhje me anëtarët e KQZ

Shkruar nga Versus

Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon kërkesën e Osmanit

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani ka kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113” të Kushtetutës, përkatësisht në mes të saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Gjykata tha se nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara kushtetuese në lidhje me ngritjen e “konfliktit të kompetencave kushtetuese”.

Kushtetuesja tregoi se në rastin konkret, konflikti i kompetencave është ngritur me një kompetencë të presidentes që nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin e zgjedhjeve të përgjithshme. Kjo pasi, kjo kompetencë buron nga paragrafi 6 i nenit 61 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjykata tha po ashtu se edhe në pjesën e Kushtetutës që ka të bëjë me format e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit në asnjë pjesë nuk përcaktohet specifikisht e presidenti i Kosovës ka kompetencën që të emërojë anëtarët e KQZ-së.

“Në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’, si dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, u tha në vendim.

Pas publikimit të vendimit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se pritej ky vendim i Kushtetueses, duke theksuar se Gjykata veçse ka nxjerrë aktgjykime lidhur me përbërjen e KQZ-së.

“Presidentja duhet ta përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh të KQZ-së, duke e emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi”, shkroi ai në Facebook.

Ditë më parë, Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi Lëvizja Vetëvendosje në pushtet kërkoi tre anëtarë, dhe Partia Demokratike në opozitë kërkoi dy. Sipas Osmanit, partitë kanë bërë më shumë propozime seç parashihet me Kushtetutë. Para Osmanit më 27 mars janë betuar nëntë anëtarët e rinj të KQZ-së dhe për t’u kompletuar ky institucion duhet që të betohet edhe një anëtar. Kërkesa e Osmanit drejtuar Kushtetueses ishte kritikuar nga koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim, duke thënë se për ndarjen e anëtarëve të KQZ, Kushtetuesja veçse kishte vendosur më herët.

Si emërohen anëtarët e KQZ-së?

KQZ-ja është një organ i përhershëm i pavarur dhe është përgjegjës për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë. KQZ-ja ka kryetarin dhe dhjetë anëtarë të tjerë. Sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një anëtar emërohet nga deputetët të cilët mbajnë vende e garantuara për komunitetin serb, dhe tre anëtarë nga deputetët të cilët mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera joshumicë.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, sipas Kushtetutës. Presidentja Osmani u kishte kërkuar partive parlamentare më 9 mars t’i propozonin kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

Ato kishin kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së saj, duke i dhënë presidentes pesë ditë kohë për t’i emëruar apo jo të propozuarit. Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit janë certifikuar më 9 shkurt./REL

Poll