BOTA /

Trump firmos publikimin e dosjeve Epstein: Unë s'kam asnjë problem, të majtët ishin miq me të

Trump tha se ai nuk ka asnjë problem me publikimin e dosjeve, por pretendoi se të shqetësuar janë demokratët (të majtët) pasi ata kishin qenë miq me Epstein.

Shkruar nga Versus

Trump firmos publikimin e dosjeve Epstein: Unë s'kam asnjë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se nënshkroi një projektligj që urdhëron publikimin e të gjitha dosjeve që lidhen me autorin e krimeve seksuale me të mitur, Jeffrey Epstein.

Projektligji kërkon që departamenti i drejtësisë të publikojë të gjitha informacionet nga hetimi i tij për Epstein "në një format të kërkueshëm dhe të shkarkueshëm" brenda 30 ditëve.

Më parë Trump kundërshtoi publikimin e dosjeve, por ai ndryshoi kurs javën e kaluar pasi u përball me kundërshtime nga viktimat e Epstein dhe anëtarët e Partisë së tij Republikane.

Me mbështetjen e tij, legjislacioni miratoi me shumicë dërrmuese të dy dhomat e Kongresit, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin, të martën.

"Ndoshta e vërteta rreth këtyre Demokratëve dhe lidhjeve të tyre me Jeffrey Epstein do të zbulohet së shpejti, sepse unw sapo kam nwnshkruar projektligjin pwr publikimin e dosjeve tw Epstein”- shkroi ai.

Edhe pse një votim në Kongres nuk kërkohej për publikimin e dosjeve - Trump mund ta kishte urdhëruar publikimin vetë - ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve e miratuan legjislacionin me 427 vota pro dhe 1 kundër. Senati dha pëlqimin unanim për ta miratuar atë pas mbërritjes së tij, duke ia dërguar projektligjin Trump për nënshkrim.

Dosjet e Epstein që i nënshtrohen publikimit sipas legjislacionit janë dokumente nga hetimet penale ndaj financierit, duke përfshirë transkripte të intervistave me viktimat dhe dëshmitarët, dhe sende të sekuestruara në bastisjet e pronave të tij. Këto materiale përfshijnë komunikime të brendshme të departamentit të drejtësisë, regjistra fluturimesh dhe njerëz e subjekte të lidhura me Epstein.

Dosjet janë të ndryshme nga më shumë se 20,000 faqet e dokumenteve nga pasuria e Epstein të publikuara nga Kongresi javën e kaluar, duke përfshirë disa që përmendin drejtpërdrejt Trump. Ato përfshijnë mesazhe të vitit 2018 nga Epstein në të cilat ai tha për Trump: "Unë jam ai që mund ta rrëzoj atë" dhe "Unë e di sa i ndyrë është Donald".

Trump ishte mik i Epstein për vite me radhë, por presidenti ka thënë se ata u grindën në fillim të viteve 2000, dy vjet para se Epstein të arrestohej për herë të parë. Trump ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje në lidhje me Epstein.

Duke folur me gazetarët të hënën në mbrëmje, Trump tha se republikanët "nuk kishin të bënin fare me Epstein".

"Është me të vërtetë një problem i demokratëve", tha ai. "Demokratët ishin miq të Epstein, të gjithë."

Familja e Virginia Giuffre, e cila vdiq nga vetëvrasja në fillim të këtij viti, tha në një deklaratë se nënshkrimi i projektligjit nga Trump ishte "asgjë më pak se monumentale" për Giuffre dhe të mbijetuarit e tjerë.

"Ndërsa shikojmë drejt kapitullit tjetër, ne mbetemi vigjilentë. Kjo punë nuk ka mbaruar. Çdo emër duhet të zbulohet, pavarësisht nga pushteti, pasuria apo përkatësia partiake", thanë vëllai dhe kunata e saj, Sky dhe Amanda Roberts. Versus.al

Poll