
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë me Fox News të hënën se Irani do të "hidhet nga faqja e dheut" nëse vendi sulmon anijet amerikane gjatë "Projektit Liria".
Ai tha gjithashtu se Irani është bërë "shumë më i lakueshëm" në negociatat e paqes, ndërsa tha se SHBA-të kishin burime ushtarake më të mira se Irani.
Komentet e Trump erdhën pasi ai tha në Truth Social se forcat amerikane kishin goditur shtatë "anije të vogla" iraniane si pjesë e operacionit të tyre për të hapur Ngushticën e Hormuzit. SHBA-të thanë gjithashtu se kishin rrëzuar dronë dhe raketa iraniane.
Presidenti njoftoi operacionin "Liria" të hënën, duke pretenduar se SHBA-së i ishte kërkuar nga vende "nga e gjithë bota" të ndihmonte në lirimin e anijeve të tyre tregtare të cilat ishin "të bllokuara" në ngushticë.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi SHBA-në që të mos “tërhiqet sërish drejt kënetës”, pas një dite sulmesh në Ngushticën e Hormuzit.
“Ndërsa bisedimet po përparojnë falë përpjekjeve dashamirëse të Pakistanit, SHBA duhet të jetë e kujdesshme që të mos tërhiqet sërish në kënetë nga dashakeqësit. Po ashtu edhe Emiratet e Bashkuara Arabe,” thotë ai duke shtuar: “Projekti Liria është Projekti Dryni.”
“Projekti Liria” i Donald Trump, i nisur të hënën, synon të përdorë ushtrinë amerikane për të shoqëruar anijet tregtare të bllokuara jashtë këtij korridori të rëndësishëm detar. Irani këmbëngul se e kontrollon Ngushticën dhe dje, sipas SHBA-ve, lëshoi raketa dhe dronë kundër anijeve ushtarake dhe tregtare. Versus.al

