
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim rolin e aleatëve të NATO-s gjatë luftës në Afganistan, duke pretenduar se ata kanë qëndruar “larg vijës së frontit”.
Në një postim në Facebook, Frederiksen e cilësoi qëndrimin e Trump si “të papranueshëm”, duke theksuar dhimbjen dhe zhgënjimin e thellë të veteranëve danezë.
“E kuptoj shumë mirë pse veteranët danezë kanë thënë se nuk ka fjalë që ta përshkruajnë sa shumë dhemb kjo. Është e papranueshme që presidenti amerikan të vërë në dyshim angazhimin e ushtarëve aleatë në Afganistan,” shkruan ajo.
Reagimi i saj vjen pas deklaratave të ashpra edhe nga Shoqata e Veteranëve Danezë, e cila tha se “nuk gjen fjalë” për të përshkruar indinjatën ndaj komenteve të Trump.
“Danimarka ka qenë gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara dhe ka marrë pjesë në zonat e krizës në mbarë botën sa herë që SHBA na ka kërkuar,” thuhet në deklaratën e shoqatës.
Veteranët danezë kanë thirrur gjithashtu për një marshim të heshtur më 31 janar në Kopenhagë, si shenjë proteste ndaj deklaratave të presidentit amerikan.
FULL INTERVIEW: President Trump joins @MariaBartiromo fresh off the world stage, weighing in on everything from Greenland and NATO to the economy. pic.twitter.com/OE0TpUFoox
— Fox News (@FoxNews) January 22, 2026
Deklaratat e Trump u bënë gjatë një interviste për Fox News, ku ai kritikoi rolin e vendeve të tjera anëtare të NATO-s gjatë 20 viteve të konfliktit në Afganistan, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë pasur kurrë nevojë për to”.
“Ata do të thonë se dërguan trupa në Afganistan… dhe është e vërtetë, por qëndruan disi në prapavijë, larg vijës së frontit,” u shpreh Trump, duke iu referuar ndërhyrjes së koalicionit ndërkombëtar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.
Sipas forcave të armatosura daneze, 44 ushtarë danezë kanë humbur jetën në Afganistan: 37 janë vrarë në luftime, ndërsa 7 të tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e sëmundjeve, aksidenteve apo plagëve të tjera. Kryeministrja Frederiksen thekson se Danimarka është ndër vendet e NATO-s me humbjet më të mëdha për frymë.
Sipas agjencisë daneze të lajmeve Ritzau, rreth 12 mijë ushtarë dhe civilë danezë janë dërguar në Afganistan ndër vite, në kuadër të misioneve ndërkombëtare.
Deklaratat e Trump kanë shkaktuar reagime dhe polemika edhe në vende të tjera aleate, duke rihapur debatin mbi rolin dhe sakrificat e NATO-s në një nga konfliktet më të gjata të dekadave të fundit.

