
Protestat kundër ndikimit të miliarderëve dhe zhvillimeve luksoze nuk janë një fenomen që haset vetëm në Shqipëri.
Qindra protestues dolën në rrugët e Venecias për të kundërshtuar mbërritjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Itali, Tilman Fertitta, i cili mbërriti në qytet me superjahtin e tij luksoz "Boardwalk", në kuadër të turit diplomatik "Freedom 250 Coastal Diplomacy Tour".
Demonstruesit marshuan pranë zonës ku ishte ankoruar jahti 117 metra i gjatë, duke mbajtur pankarta me slogane si "Venecia nuk është për t'u përdorur", "Fertitta duhet të largohet" dhe "Nuk ka vend për miliarderët". Gjatë protestës pati momente tensioni dhe përplasje të shkurtra me policinë, e cila kishte ngritur masa të forta sigurie për të penguar afrimin e protestuesve pranë mjetit lundrues.
Aktivistët kritikuan jo vetëm luksin e ambasadorit amerikan, por edhe kostot e larta të sigurisë që, sipas tyre, po mbulohen nga autoritetet italiane. Ata e konsiderojnë turin me superjaht një simbol të privilegjit dhe një shfrytëzim të Venecias për qëllime politike e personale, në një kohë kur qyteti përballet me problemet e mbingarkesës turistike dhe rritjes së kostos së jetesës.
Nga ana e tij, Fertitta ka deklaruar se turi financohet me fondet e tij personale dhe synon të forcojë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Italisë në kuadër të 250-vjetorit të pavarësisë amerikane. Megjithatë, vizita e tij ka shkaktuar reagime të forta politike dhe qytetare në disa qytete italiane, veçanërisht në Venecia. VIDEO/Versus.al

