
Një efektiv i policisë serbe është vrarë me armë zjarri në orët e para të së enjtes në qytetin e Loznicës, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë. Lajmin e bëri me dije ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç i cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 00:55 kur zyrtarët policorë teksa kontrollonin një prej makinave në pikë kontrolli në Lipinçi Shor, kanë ndaluar një mjet tip “Mercedez” ku dyshohet të kenë qenë një grup shqiptarësh.
Sipas medias servem Novosoti.rs autori i ngjarjes së rëndë është shqiptari Artan Hajziri i cili ka hapur zjarr ndaj efektivëve serbë në momentin që ata i kanë kërkuar t’i kontrollonin çantën. Në vendngjarje është gjetur pasaporta e tij dhe një letërnjoftim gjerman, ndërsa autori ia ka mbathur.
Nga plagët e marra ka ndërruar jetë polici Nikolla Krsmanoviç, 34-vjeç, ndërsa ka mbetur i plagosur Vjekoslav Iliç 50-vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Versus.al







